Bashkëbisedim i paharruar me Hafiz Musa Hoxhën
(Shkodër, më 30 janar 2009)
Ditën e xhuma, më 30 janar 2009, pas namazit të akshamit, në
konakun e medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, dega e vajzave,
thirrësi islam Muhamed Sytari organizoi një bashkëbisedim të
ngrohtë me myderrizin e moshuar Hafiz Musa Hoxha.
Në këtë tubim prezantonin thirrës islamë, teologë, drejtori i
medresesë, zv/drejtorët e saj, intelektualë e të rinj, të cilët
ishin ftuar për të ndarë sëbashku emocionet e rrëfimit të
hafizit të fundit të një brezi hoxhallarësh që u edukuan para
duarve të dijetarëve të shquar të Shkodrës dhe që morën prej
tyre dijen, kulturën, përkushtimin e qytetarinë islame.
Aktiviteti u hap nga thirrësi islam Muhamed Sytari, i cili
sqaroi edhe qëllimin e këtij takimi me hafizin 84- vjeçar,
dëshmitar i një kohe, ku Shkodra vlonte nga dijetarët dhe
myderrizët e shquar, që shpërndanin dituri e besim në çdo skaj
të këtij vendi. “I fundit i atyre burrave që patën fatin të
diplomoheshin e të merrnin ixhazete nga hoxhallarët e vjetër të
Shkodrës, është edhe Hafiz Musa Hoxha, i cili pati mirësinë t’i
përgjigjej ftesës për të qenë sëbashku me ne në këtë natë të
veçantë, plot dritë hoxhallarësh e rrezatime diturie”- ka thënë
ndër të tjera Sytari.
Më pas, për rreth 1 orë e gjysëm, të pranishmit kanë ndjekur me
vëmendje rrëfimin e hafizit të moshuar, në të cilin ka hedhur
dritë mbi fëmijërinë, rininë, kohën e kaluar para duarve të
hoxhallarëve të Shkodrës, mësuesve të tij, aktivitetin e gjerë
nëpër fshatrat e Shkodrës, por jo vetëm, vuajtjet e periudhës së
errët të komunizmit, përjetimin e momentit të rihapjes së
xhamive, aktivitetin aktual në xhaminë e fshatit Oblikë etj.
Në përfundim të bisedës së tij të ngrohtë, për të pranishmit u
shpërnda edhe botimi më i ri i thirrësit islam Muhamed Sytari,
mbi jetën dhe veprimtarinë e hafizit anamalas, me titull: “Hafiz
Musa Hoxha- Vaizi besnik i qitabeve të vjetra”, që u prit me
shumë ngrohtësi nga të ftuarit.
Ndër momentet më të paharrueshme të këtij takimi ishte momenti
kur thirrësi islam Muhamed Sytari, kërkoi nga Hafiz Musa Hoxha
që në këtë natë, ai t’i dorëzonte ixhazetet e tij, në mënyrë
simbolike, të gjithë hoxhallarëve të pranishëm në këtë mbrëmje.
“Po ta bëjmë këtë kërkesë, i dashur Hafiz, në mënyrë që besa
islame e brezave shqiptarë mos të ndërpritet asnjëherë. Ju jeni
i fundit i një brezi që pati mirësinë të merrte nga dora e atyre
burrave të ditur, me trashëgiminë e të cilëve ne mburremi sot.
Unë, me zemër, po ju kërkoj që atë shpirt bese islame me
hoxhallarët e shkuar ët Shkodrës, të na e përcillni edhe ne, me
lutjet dhe bekimet tuaja dhe shtrëngimin e dorës”- ishte kërkesa
e Sytarit.
Me shumë emocion, Hafiz Musa Hoxha e pranoi një kërkesë të tillë
dhe në praninë e të gjithëve u zhvillua një ceremoni shumë
emocionuese, ku thirrësi islam Muhamed Sytari, myftiu i Malësisë
së Madhe Edmir Smajlaj, imami i xhamisë Parrucë Naim Drijaj,
thirrësi islam Lavdrim Hamja, imami i xhamisë Tophanë Ilir
Dizdari dhe kryeimami i zonës Mes-Myselim Altin Nikshiqi, të
ulur në gjunjë para Hafiz Musa Hoxhës, morën prej tij
trashëgiminë e dijeve dhe besën e hoxhallarëve të shkuar të
Shkodrës, shoqëruar nga lutjet dhe bekimet e tij për hoxhallarët
e rinj.
Në këtë aktivitet përshëndeti edhe shkrimtari Xhahid Bushati, i
cili falënderoi myderrizin e moshuar Hafiz Musa Hoxha për
emocionet e shumta që dhuroi dhe njëkohësisht uroi edhe
thirrësin islam Muhamed Sytari për botimin e tij të ri.
Një koktejl dhe përqafimet e përzemërta ishin mbyllja e këtij
aktiviteti që u pasqyrua më pas edhe nga media vizive në
Shkodër.
V. Mehmeti
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|