Atmosferë e ngrohtë mevludi në xhaminë e Tophanës...

(Shkodër, e xhuma, më 14 mars 2008)  

 

Sot, ditën e xhuma, nëpërmjet minberit të xhamisë së Tophanës, thirrësi islam Muhamed Sytari ka folur mbi rëndësinë e përkujtimit të Resulull-llahit (a.s) dhe shprehjes së dashurisë së sinqertë për zotërinë e bijve të Ademit (a.s).

Në hytben e tij, ai ka vënë theksin mbi domethënien e dashurisë për Resulull-llahin (a.s). Në ligjëratën e tij, hatibi i xhamisë së Tophanës, ka përmendur gjithashtu edhe disa hadithe të të dërguarit të All-llahut, duke treguar në këtë mënyrë, atë që ai e ka quajtur: “shumëdimensionalizëm të mesazheve universale të hazreti Muhammedit (a.s)”.

Në fund të xhumasë, për të pranishmit e shumtë në falje, u bë shpërndarja e një dhurate simbolike në përkujtim të kësaj dite, një stilolaps me shënimin: “Resulullah- në zemrat tona – Xhamia Tophanë”, si dhe libri: “Ky është profeti Muhamed (a.s), i dërguari i Zotit për mbarë njerëzimin”, i përgatitur për botim nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam.

 

A. Mahiri