Armët më të mira për një thirrës islam të suksesshëm

("E kush është në rrugë më të mirë, sesa ai që thërret në rrugën e All-llahut...") 

sheshi Parruce

Cila është vlera e thirrjes në rrugë të All-llahut (xh.sh), thirrja islame?

"Vlera e thirrjes në rrugën e All-llahut (xh.sh), është shumë e madhe, pasi ajo është rruga më e mirë dhe më e vlefshme për atë që do të përfitojë. Thotë All-llahu (xh.sh), në Kur'anin Fisnik:

"E kush është në rrugë më të mirë, sesa ai që thërret në rrugën e All-llahut që bën vepra të mira dhe që thotë: "Unë jam prej muslimanëve"".[1]

Kështu, thirrja në rrugë të fesë, është misioni i njerëzve më të mëdhenj, më të ndershëm dhe më të vlefshëm për njerëzinë, pasi ajo është rruga e Pejgamberëve që nga Hz. Ademi (a.s), Hz. Ibrahimi (a.s), Hz. Musai (a.s), Hz. Isai (a.s), Hz. Muhammedi (a.s) dhe e të gjithë atyre që lakmojnë për t'i sjellë njerëzimit të mirën e të pëlqyeshmen.

Prandaj, dijetarët e vërtetë janë trashëgimtarët e Pejgamberit (a.s), kështuqë këta njerëz të ndershëm, ne duhet t'i nderojmë, të pëlqejmë rrugën e tyre dhe të pasojmë hapat e tyre".

 

Cilat janë armët më të mira për një thirrës islam të suksesshëm?

"Armët më të mira për një thirrës të Islamit, janë:

Sinqeriteti në besimin e All-llahut (xh.sh): lidhja e jetës plotësisht me Zotin (xh.sh) dhe kërkesat e fesë. Çvlerësimi i çdo gjëje kundër fesë, largimi nga interesat personale para interesave të fesë, derisa këto interesa të shkrihen në interesin fetar.

Të armatosurit me dije të saktë: me dogma e fakte, duke e përdorur këtë dije aty ku i shërben popullit, pa u thelluar në tema që ata nuk i kuptojnë dhe as që kanë nevojë për ta.[2]

Dashuria për misionin e tij: t'i digjet zemra për të, duke mos kursyer kohën, shëndetin e veten e tij për përhapjen e këtij misioni të pastër. Të hidhërohet e t'i qajë zemra, nëse sheh se njerëzit përreth tij nuk e pranojnë atë mission, por janë të dhënë pas zakoneve të pabaza e epsheve pa kufij.

Durimi dhe mos mërzitja: nganjëherë duhet të flasim e të përsërisim shumë fjalë e mësime në vende e raste të ndryshme, në mënyrë që të arrijmë në ndonjë rezultat pozitiv.

Mjafton të kujtojmë historinë e konvertimit të Khalid ibn Velidit (r.a) në musliman, pas 19 vjet thirrje!

Aso kohe Pejgamberi (a.s) kishte shkuar në Mekke për të kryer Umrenë, kur u takua me vëllanë e Khalidit, të cilin e pyeti për të, duke i thënë: "Me ato mend që ka Khalidi, a nuk ka ardhur akoma koha që ai ta pranojë Islamin?".

Pejgamberi (a.s) u kthye në Medine, ndërkohë që Khalidit iu ndriçua zemra, kur dëgjoi se ai zotëri (a.s) kishte pyetur për të, kështu që pa hezituar më asnjë çast u nis drejt Medines për të shpallur Islamin e tij plot krenari.

Lutja (duaja) për ata që thërrasim në fe: edhe Pejgamberi (a.s) bëri lutje që Hz. Omeri (r.a) të bëhej musliman dhe e dimë shumë mirë ndikimin e kësaj lutje në pranimin e tij të Islamit. Librat e historisë islame tregojnë se ai ishte nisur drejt Pejgamberit (a.s) për ta vrarë, mirëpo ishte mëshira hyjnore që zbriti në zemrën e tij për ta kthyer urrejtjen e saj në dashuri.

Tashmë Omeri ishte bërë musliman.

Fjala e urtë dhe e bukur: me një fjalë të bukur ia hap zemrën dikujt.

Një dhuratë për një rast të caktuar, një libër me një temë të pëlqyeshme e tërheqëse, një vizitë në një gosti duke mbajtur një fjalë të bukur në të, duke folur përherë të vërtetën, jo duke shpikur për të zotin e shtëpisë atribute e vlerësime që nuk i ka, pasi ne nuk gënjejmë dhe nuk e lavdërojmë tjetrin me atë që s'e ka, nuk themi asnjëherë për ujin e turbullt se është i kulluar, as nuk i themi të kuqes e bardhë.

Me fjalë të tjera nuk gënjejmë asnjëherë"!

 

Nga monografia e thirrësit islam Muhamed Sytari:

Vehbi Sulejman Gavoçi- dijetar nga dijetarët e ymmetit”, Prishtinë 2005.



[1] Fussilet: 33.

[2] Ka ardhur në urtësitë e arabëve: "Çdo vend ka fjalët e veta", që do të thotë se çdo fjalë duhet vendosur në vendin dhe kohën e duhur, përndryshe s'do të ketë vlerë. Prandaj është dëgjuar një poet arab duke thënë:

Ke mëshirë për mua, të udhëzoftë Zoti

Se çdo fjalë ka vendin e saj!

Shih: Ebul- Fadl Ahmed ibn Muhammed en- Nejsaburi, "Mexhmaul- emthal", vëll. 2, fjala nr. 3385, fq. 335- 336.