Muhamed Sytari
thirrës islam
Argëtimi i rinisë në Islam
(Islami është fe e jetës, e gjallërisë, e aktivitetit)
Intervistë me Dr. Alaud- din el- Hamvi, pedagog i lëndëve të
besimit (akaid) dhe tefsirit,
në Universitetin "Ebu Nur", hatib i xhamisë "Salahud- din el Ejjubi"- Damask.
Dëshiroj të bisedojmë sot sëbashku rreth çështjes së argëtimit.
A ka në Islam forma të ndryshme argëtimi për rininë dhe pjesën
tjetër të shoqërisë?
Përpara se të flasim për individin musliman, duhet të flasim për
njerzillekun e tij, dmth. qënien e tij njeri. E dimë shumë mirë
se njeriu lodhet dhe mërzitet nga veprimtaria e tij ditore,
sepse forca e tij është e përkufizuar. Këta kufinj e bëjnë
njeriun të jetë i pasuksesshëm në jetën e tij, në qoftë se nuk
do llogarisë për çdo punë edhe disa momente pushimi.
Islami është fe e jetës, e gjallërisë, e aktivitetit dhe
medoemos që argëtimi në jetën e muslimanit zë një vend të qartë.
Mirëpo argëtimi në Islam është i drejtuar, dmth. se muslimani
nuk argëtohet për të humbur kohën, por edhe argëtimin e vendos
në një vend të duhur, duke e ruajtur kohën e tij, duke u ruajtur
nga harami, duke respektuar të drejtat e tjerëve e duke mos u
sjellur atyre ndonjë të keqe.
Argëtimin e shohim në shumë forma që në kohën e Pejgamberit (a.s),
që i mësonte sahabët të argëtoheshin, duke u marrur me
aktivitete të ndryshme sportive, si: kalorsëria, noti, qitja etj.
Duhet thënë
se çdo individ i shoqërisë islame e gjen veten në forma të
ndryshme të argëtimit që i përshtatet më shumë, duke filluar me
qeshjen, lojrat e ndryshme të lejuara e për të përfunduar tek
aktivitetet e ndryshme trupore, mendore, shpirtërore e shoqërore.
Shohim sot shumë nga problemet morale që na vijnë nga perëndimi,
sidomos format e ndryshme të një argëtimi të çuditshëm. A mund
të flasim për një zëvendësim islam të këtyre formave të reja të
argëtimit perëndimor?
Përpara se të flasim për zëvendësimet dhe ne e dijmë se Islami
është bazë përpara se të jetë zëvendësim, duhet të flasim për dy
pika të rëndësishme të pyetjes: "problemet morale perëndimore"
dhe "argëtimi i çuditshëm".
Problemet morale nuk kanë kartë identiteti, pra nuk mund të
themi problemet morale perëndimore apo lindore, poashtu edhe
argëtimin s'mund ta quajmë lindor apo perëndimor.
Le t'i shikojmë gjërat sipas qëllimeve të tyre, sipas vlerave,
prandaj çdo çështje varet nga rezultati i saj. Nëse rezultati i
saj është i mire, Islami e përqafon atë dhe nuk ka asnjë problem
në këtë pikë.
Islami nuk është kundra asnjë grupi apo populli, apo
personaliteti, por të thotë: Ti kush je dhe çfarë bën dhe punët
tuaja a kanë vlerë apo jo? E nëse e gjen të mirën edhe tek një
mexhusi (zjarrputist) e merr këtë të mirë, pasi Pejgamberi (a.s)
thotë: ((Urtësia
është argument i besimtarit, ku ta gjejë atë e merr)),
pa shikuar se tek kush është kjo urtësi.
Më lejo ta rregulloj shprehjen "problem perëndimor", pasi
problemi është rezultat i shumë shkaqeve, prandaj nuk na lejohet
t'i themi një perëndimori problematik, por nganjëherë liria
absolute pa kufinj bëhet shkak për problem si shkak i mos
kuptimit të kësaj lirie!
Gjithashtu edhe "argëtimi i çuditshëm"…Njerëzit kur e humbasin
lezetin e jetesës së tyre, e cila është një gjë shumë e bukur,
fillojnë e veprojnë gjëra të jashtëzakonshme, nëse ia vlen të
themi kështu. Psh. kur isha në Zvicër, në vitin 1977 më tërhoqi
vëmendjen pamja e atyre që ngrinin flokët përpjetë ose rruanin
të gjithë kokën përveç një pjese të vogël në mes të saj, ose i
lyenin flokët me shumë ngjyra, ose tatuazhet e ndryshme në trup.
Më tërhoqi vëmendjen sepse nuk pashë asnjë gjë të vlefshme në
këtë veprim, pasi siç thashë edhe më parë Islami kërkon për
gjërat me vlerë, atëherë çfarë vlere ka të bësh një tatuazh në
trup apo të ngjyrosësh flokët me tri- katr ngjyra njëherësh?
Më vonë konstatova se këta persona kërkojnë për një argëtim të
çuditshëm, me të cilin duan t'i thonë njerëzve se ne jemi
ndryshe!
Prandaj u përhap në ato vende homoseksualizmi, problemet e
ndryshme seksuale etj, jo se ata e duan këtë por sepse ata
kërkojnë për një kënaqësi të pa gjetur.
Por cilat janë zëvendësimet e këtyre veprimeve, nga aspekti
islam?
Argëtimi islam, pikë së pari, është ngritur mbi rregullin që do
thotë se personaliteti yt është i barazpeshuar, pa tronditje. Ti
s'je një kundërveprim, por ti je veprim.
Kundërveprimet, zakonisht janë negative e të pavlera psh, kur
njeriu e vendos dorën e tij në një send të nxehtë, çfarë vepron?
E tërheq dorën e tij me të shpejtë. Kjo shpejtësi mund të godasë
dikë dhe mund të shkaktojë ndonjë dëm.
Islami nuk është kundërveprim, ai është veprim!
Përherë mendon, kërkon!
Islami nuk i ndalon gjërat që mund të përdoren për të mirë apo
për të keqe, por e ndihmon muslimanin për të mirë përdoruar këto
gjëra.
Do ju jap një shembull të thjeshtë: Kjo lapsë që kam në dorë,
mund të shkruajë njeriu me të fjalë të pista e të ndaluara, por
mund të shkruajë me të edhe fjalë të vlefshme…Islami thotë: Ne
nuk e ndalojmë përdorimin e lapsës por të mësojmë ta përdorësh
për shkrime të bukura e me vlerë.
Me këtë gotë, njeriu mund të pijë një pije dehëse, por mund të
pijë me të edhe Zemzem…Atëherë ne nuk e ndalojmë përdorimin e
gotës, por themi: Përdore si duhet këtë gotë!
Mendo për të krijuar faqe islamike në internet, mendo të
realizosh filma, drama, emisione e reklama islame në television,
mendo të krijosh kanale televizive islame!
Këto fjalë Islami ia thotë atyre që duan të arrijnë në gradët e
larta të civilizimit njerëzor, pasi është shumë e thjeshtë të
ulesh në shtëpinë tënde e të thuash: Kjo është haram, kjo e
ndaluar, kjo…, kjo…!
Do mbesësh në vendin tënd, e bota do ecë përpara. Bota ecën duke
mos shikuar prapa!
Këtu në mes dy kllapash, dua të them një fjalë, të cilën e
përmenda në hytben e Bajramit të Madh, përpara dy vjetësh në
Amerikë, në Indiana, kur i thashë masës së madhe besimtare atje:
Nuk ju thërras të kthehemi prapa 1400 vjet në kohë, as ju
thërras të jetojmë në mjedisin e sahrasë, në të cilin jetoi
Muhammedi (a.s), por në emrin tim dhe në emrin tuaj e thërras
Muhammedin (a.s), të dërguarin e All- llahut, të jetojë me ne
këtu në Amerikë në vitin 2000, për të parë se çfarë vepron, si
punon, si jeton, si i zgjidh problemet e botës, si hyp në avion,
si i përdor kanalet satelitore, si e përdor telefonin,
internetin…Kështu duhet t'i mësojmë njerëzit, me një fjalë të
vetme: Feja është vërtetësi dhe realitet, që s'lidhet me kohë!
Psh. dalja e diellit…Dilte në kohën e Ademit, Muhammedit, në
kohën tonë e deri në ditën e kijametit…Dielli është vërtetësi që
nuk ndryshon.
Të ushqyerit me gojë është vërtetësi…Ademi ka ngrënë me anën e
gojës, edhe ne ushqehemi me anën e gojës…vërtetësi!
Islami është vërtetësi, që do thotë se nuk ka lidhje me ndonjë
kohë të caktuar, prandaj duhet ta aplikojmë sa të mundemi.
Kthehemi tek pyetja në lidhje me zëvendësimet islame, për të
thënë se Zoti (xh.sh.) përpara se t'i ndalonte gjërat, nuk
ndaloi domosdoshmëritë e jetës tonë.
Ndaloi pijet dehëse, por na lejoi të pijmë pije freskuese
joalkoolike.
Ndaloi adulterinë, por na lejoi martesën.
Pra, nuk ndaloi asgjë të domosdoshme, nuk ndaloi asgjë pa i
gjetur një alternativë tjetër të vlefshme!
Zoti e ndaloi përzierjen e gjinive, por lejoi marrëdhëniet
shoqërore të lejuara.
Zëvendësimi islam është shumë i thjeshtë, duke e pastuar nga
harami.
Noti, me mbulimin e vendeve të turpshme të trupit.
Gëzime e dëfrime, pa banalitete e ekstremitete.
Dua të them edhe një fjalë, edhe pse u zgjata pak në këtë
përgjigje: Të gjitha format e argëtimit hyjnë në kategorinë e "Edukimit
Sakrifikues", që është një gjë bazë në jetën e muslimanit.
Ky është edukimi i forcës, i përgatitjes, i ndikimit pozitiv…
Ne nuk duam që të rinjtë tonë të jenë të dobët, kur bien në
kontakt me Universitetin, me jetën e përditshme, me udhëtimet,
kur takohen me jomuslimanët, etj.
Nën këtë temë hyjnë të gjitha alternativat zëvendësuese, të
përshtatshme për kohën, vendin dhe nën bekimin e Zotit (xh.sh.).
Transmeton Ebu Davudi nga Enesi (r.a), se Pejgamberi (a.s) ka
thënë: ((Argëtoni zemrat herë pas here)). Çfarë do thotë ky
hadith dhe a ka lidhje me temën tonë?
Pa dyshim që ka lidhje me thelbin e çështjes për të cilën po
flasim, pasi sikur të shohim rolin e Pejgamberit tonë (a.s) si
edukator sociolog, do shohim se kuptimi i fjalës "argëtoni"
këtu, ka të bëjë me ndryshimin, pasi ne e dimë fare mirë se
njeriu nëse flen në një krah të vetëm, kjo gjëndje do i
shkaktojë dhimbje, kështu që ai ka nevojë për ndryshim të krahut…Ky
është ndryshimi- argëtim, që nënkuptohet këtu.
Njerëzit, sot në kohën e materializmit për fat të keq jetojnë
një jetë materialiste, që e bën individin të mos mendojë vetëm
se në ushqimin, pijen, martesën, gjumin dhe që e ndalon të
mendojë për këtë zemër që është baza.
Prandaj, Pejgamberi (a.s) na tërheq vëmendjet tona për t'i
drejtuar tek kjo zemër, që të argëtohet herë pas heret, për të
arritur në një barazpeshë.
Më lejo të përmend këtë shembull; Edhe kafshës, Zoti i ka
vendosur një orar të caktuar në brendësinë e saj, për veprimet
ditore. Nëpërmjet këtij orari ajo arrin të dallojë orët e punës
nga ato të pushimit!
Ajo e di fare mirë kur vjen koha e punës, prandaj punon me
gjithë fuqinë e saj, por njëkohësisht ajo e di edhe kohën e
pushimit, prandaj e shohim në atë kohë duke ngrënë, duke luajtur,
duke u larë, duke ngacmuar një kafshë tjetër, etj.
Për fat të keq njeriu e ka keqkuptuar lirinë që i ka dhënë Zoti,
prandaj e shohim shpeshherë duke vepruar djathtas e majtas me
ekstremitet, duke e bërë jetën e tij të zbrazët nga argëtimi e
pushimi.
Mirëpo kush e shpërdoron atë natyrë që ka vendosur Zoti për
jetën e njeriut, do pendohet pas njëfarë kohe.
Rri i ulur tërë ditën në një karrigë, pas njëfarë kohe ankon nga
hierret diskale, vjen mjeku dhe i thotë, do rrish në shtrat një
muaj ose më shumë! Pse? Sepse ky njeri ka gabuar në
barazpeshimin e kohëve!
Nga ana tjetër gjejmë njerëz që rrinë tërë ditën duke qeshur,
duke luajtur e duke tallur të tjerët…
Pa dyshim të dyja këto dy ekstremitete janë të gabuara.
Muslimani është ai që përherë i barazpeshon punët e tija sepse
moral i muslimanit është barazpeshimi i punëve, edhe pse është
një gjë e vështirë, por jo e pa arritshme.
Atëherë themi se argëtimi është vendosja e një barazpeshe në
veprimet ditore, të mos ketë gjë në llogari të një tjetre.
Ushqehet që të pushojë, pushon që të punojë, punon për të
ndërtuar, ndërton për të vyer, i vlen të tjerëve që të përfitojë,
e kështu me rrallë si disa hallka të një zinxhiri të gjatë!
Kur Pejgamberi (a.s) na thotë të argëtojmë zemrat, kjo do thotë:
1.
Keni kujdes për zemrat tuaja.
2.
Zemrat po të lodhen do verbohen.
Dëgjo se si e ka ndaluar Pejgamberi (a.s) ekstremitetin edhe në
adhurim.
Hyri një ditë në xhaminë e tij dhe pau një litar të lidhur në
mes të xhamisë. Pyeti se çfarë është ky litar. I thanë se gruaja
jote Zejnebi, e ka vendosur që të mbahet në të kur të falet
gjatë natës. Pejgamberi (a.s) nuk e pranoi këtë veprim dhe tha:
((Zgjidheni
dhe le të falet secili prej jush me zell)).
Pas kësaj ai zotëri (a.s) bëri arsyetimin e këtij vendimi, duke
thënë: ((Sepse
ajo nëse lodhet do mërzitet, e në qoftë se mërzitet ndoshta mund
të lutet gabim)), d.m.th. nuk do jetë e përqendruar në
adhurimin e Zotit të saj, e këtë gjë Islami e refuzon, pa dyshim!
Kjo s'është asgjë tjetër vetëm se thirrje për mendjen e
muslimanit që të përpiqet të gjejë argëtimin më të përshtatshëm
për veten e tij, individual qoftë, apo shoqëror.
Këtu është e domosdoshme të themi disa fjalë për ndalesat
juridike islame (haramet).
Harami ndahet në dy pjesë:
I ndaluar për veten e tij
dhe
i ndaluar për një shkak të jashtëm.
I ndaluar për veten e tij si alkooli, pasi ai është dehës.
Kumari, pasi ai të nxit për parazitizëm individual e shoqëror.
I ndaluar për një shkak të jashtëm si luajtja e shahut, ose e
letrave.
Shahu nuk është haram, por nëse një njeri, ditë për ditë do
luajë shah 4 orë në ditë për shembull,
një kohë që thirret
ezani e ai s'pyet fare për namazin, ose gjatë lojës do kalojë në
grindje, etj., çfarë t'i themi këtij personi? T'i themi se shahu
është hallall? Jo! Ai është haram, por për shkak të jashtëm.
Kështu duhet të kemi kujdes edhe për argëtimet që bëjmë, mos të
jenë të ndaluara ose mos të na tërheqin nga e ndaluara.
Islami nuk është fe egërsie dhe fanatizmi, por i jep çdo gjëje
hakun e saj!
Cila është këshilla juaj për rininë shqiptare, sot në kohën e
mjeteve informatike si interneti, televizioni, radioja, revista
etj. Si të përfitojë nga ato, në të mirë të vetes, shoqërisë e
atdheut, duke u kujdesur njëkohësisht për kohën e saj?
Këtë gjë nuk e them nga vetja ime, por vetë Pejgamberi (a.s) i
ka përkufizuar me këto fjalë, kur një ditë prej ditësh u tha të
pranishëmve në ndenjën e tij: ("Dëshirova
të shikoj vëllezërit e mi"- Sahabët thanë: A nuk jemi ne
vëllezërit e tu, o i dërguar i All- llahut? Tha: "Ju
jeni shokët e mi. Vëllezërit e mi janë ata që më besuan pa më
parë").
Edhe rinia shqiptare e ka besuar Pejgamberin (a.s) pa e parë,
edhe pse i lutem All- llahut që t'i afrojë ata shpirtërisht
pranë atij zotërie (a.s).
Pas kësaj Pejgamberi (a.s) tha: "Ata
kanë shpërblimin e 50 shehidëve prej jush sepse ju gjeni kë
t' ju ndihmojë për të bërë mirë, ndërsa ata nuk gjejnë kë t'i
ndihmojë për të
bërë mirë"!
Prandaj i përshëndes vëllezërit e mi shqiptar, të cilët duruan
për të ruajtur identitetin e tyre islam dhe e ruajtën fenë e
tyre, duke u thënë: "Lum si ju për këto shpërblime të
shumëfishuara, për të cilat ju sihariqoj Pejgamberi (a.s)".
Pastaj ju them: Meqenëse ju qëndruat të palëvizshëm përballë
vështirësive që kaluat, duhet që këtë qëndrim të mbani edhe sot
përballë intrigave të ndryshme, për të qenë një shkak pozitiv në
realizimin e pikëpamjeve islame, jo vetëm për vete, por edhe për
të tjerët.
Të mendojmë sëbashku se si të thërrasim të tjerët në Islam
nëpërmjet radios, televizionit, internetit apo kanaleve të
ndryshme!
Duhet të punojmë seriozisht për të zgjedhur "sofrat" më të mira
për paraqitjen e këtij Islami të pastër.
P. sh. radioja është "sofër", televizioni është "sofër",
interneti poashtu…Pra le të zgjedhim për vetet tona më të mirën
dhe le t'i mbushim këto "sofra" me atë ç'ka vlen, që do i
shërbejë krejt shoqërisë.
Vëllezër dhe motra muslimanë shqiptarë!
Bota sot ka nevojë për një Islam të qartë e të shëndoshë që
shihet me sy…Njerëzit nuk duan ligjërata!
Ata duan të shijojnë, duan vërtetësi, duan punë…
Pejgamberi (a.s) nuk ka urdhëruar që të mbyllemi nëpër xhamia
apo vende të tjera, por na ka këshilluar që të shpërndahemi ndër
njerëz e tu paraqesim atyre vlerën e Islamit me veprat tona, që
ata ta shikojnë më sytë e tyre mrekullinë e tij!
Një here një shok i imi me të shoqen po qarkullonin në rrugët e
Amerikës, kur u bë koha e namazit të akshamit.
Meqenëse po përfundonte koha e kësaj falje, ata hynë në një
lulishte për tu falur sëbashku…
Një grua në moshë, duket se ishte ndaluar për t'i parë dhe me
shumë edukatë iu afrua duke i përshëndetur dhe duke i pyetur për
veprimin e tyre…
Pas përgjigjes, ajo filloi të qante dhe pas pak u tha se ajo
dëshironte të jetonte në vendet e tyre qoftë edhe për 6 muaj, e
më pas le të ndodhë çfarë të ndodhë…
Ajo nënkuptonte jetesën në besimin e tyre, sepse e kishte
provuar jetën materiale…
Ndërsa ata të dy nuk propaganduan Islamin me gojë, por me vepra,
që ndikuan tek zonja e moshuar!
Prandaj ju them se duhet të kemi kujdes për këtë mision, me të
cilin paraqitemi përpara botës!
Të sakrifikojmë me aq sa kemi në dorë dhe All- llahu do na
ndihmojë me mirësinë e Tij të madhe.
Dhe së fundi ju këshilloj që të hidhni një sy edhe nga
eksperiencat e vëllezërve tuaj muslimanë nëpër botë, në mënyrë
që të përfitoni nga koha në argëtim dhe veprimtaritë e tjera, të
bashkuara me mësimet dhe udhëzimet islame, që rinia jonë ta
ndjejë se po zhvillohet në mënyrë të shëndoshë e të fortë!
Na dhuroftë All- llahu (xh.sh.) zgjuarsi për të përfituar nga
mirësitë e Tija të shumta, të dukshme e të padukshme!
Ju falenderoj shumë për përgjigjet e sinqerta, duke ju uruar
mbarësi dhe përparim të mëtejshëm në misionin tone të përbashkët!
Kënaqësia ishte imja në komunikimin me ju!
Bisedoi
Muhamed Sytari
Damask, më 22. 09. 2001
Shkodër, më 12. 09. 2002