ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

“A më don ti mua…?”

(Phoenix, më 11 shtator 2009) 

11 shtator 2009. Ditë e xhuma. Sot në Phoenix (ShBA), dita nuk ndryshon nga pararendësja e saj, përveç faktit se për ne muslimanët është më e rëndësishmja ditë e javës, dita e tubimit në xhami, me xhematin dhe dashamirët tanë.

Mediat amerikane këto ditë janë përqendruar te debati i senatit mbi fjalimin e presidentit Obama rreth çështjes së shëndetësisë. Çështje politike. (Me siguri, komentin dhe analizat e ngjarjes tragjike të këtu e tetë viteve më parë, duke ngjyer gishtin deri në rrënjë në imazhin e pastër të Islamit dhe muslimanëve, do ta bëjnë servilë shtatanikë në vendin tim, në Shqipërinë e njerëzve të ri, me flamurin e rishkrimit të historisë në dorë, si ndërmjetës përgjërimi, me vullnetin për të hequr “rrobat e vjetra” të shekujve të kaluar “skllavërues e robërues”, për t’i zëvendësuar me kostume të reja nga studiot moderne të kryeqyteteve evropiane!? “Lëre hoxhë këtë muhabet, se e din si janë te ne”- do më thoshte ndonjëri prej atyre që janë mësuar ta dëgjojnë hoxhën t’u flasë vetëm për gjërat që prishin abdestin!?)

Në xhaminë e shqiptarëve (që nuk janë i vetmi komunitet frekuentues i saj, duke kujtuar arabët, indianët, pakistanezët e amerikanizuar, vetë muslimanët vendas etj.) atmosfera e xhumasë nis rreth një orë a më shumë para kohës së ezanit të xhumasë. Dersi në gjuhën shqipe i tërheq shqiptarët e Arizonës, për të mbërritur në xhami para të tjerëve. Një mënyrë më shumë për të fituar shpërblimet hyjnore të prezantimit të hershëm në xhami, ditën e xhuma.

Disa netë më parë po mendoja se cila do të ishte tema e dersit të kësaj xhumaje, kur para meje u shfaq shpirti i ëmbël e disa sahabëve të nderuar, që më morën për dore drejt dashurisë së tyre për Resulull-llahin (a.s). Dhe vendosa, që ora e dersit të kësaj xhumaje t’i kushtohet dashurisë së sahabëve dhe pasuesve të tyre për të Dërguarin e fundit të All-llahut. Si të thuash, do të ishte një orë qetësie e prehje shpirtërore me Resulull-llahin (a.s), në xhaminë e Phoenix.

Vëmendja e të pranishëmve përqendrohet para duarve të vaizit. Një pyetje e bërë këtu e 1400 e sa vite më parë hyn në orbitën e xhamisë tonë dhe bëhet kryefjala e krejt dersit. “A më don ti mua, o Ka’b?”… Dhe së bashku me të pranishmit largohemi nga ku jemi drejt një kohe dhe një vendi ndryshe nga kjo kohë dhe ky vend.

Para syve tanë shfaqet Resulull-llahi (a.s), i brengosur, i lodhur, i zverdhur në fytyrë. Ka’b ibni Uxhra, sahabiu që i kalon pranë, e vëren një gjë të tillë, shqetësohet dhe e pyet profetin për këtë gjendje. “Përse të shoh të ndryshur, o Resulull-llah?” Kur e mëson shkakun e kësaj gjendje, Ka’bi vrapon drejt tregut. Një çifut medinas kërkon një shegert për t’i dhënë ujë deveve të tij. Ka’bi nuk heziton. Do të fitojë për çdo kovë uji, një hurmë arabie. Nuk shkon shumë dhe ai kthehet tek i Dërguari me një enë të mbushur me hurma të freskët. Ia drejton Zotërisë së bijve të Ademit. Ai, alejhis-selam, e vështron dhe me buzëqeshjen e tij nuranite i drejtohet: “A më don ti mua, o Ka’b?”…

Në “Greenway Masjid” mbizotëron heshtja dhe përqendrimi. Të gjithë dëgjojnë me vëmendje ndodhinë e Ka’bit e shumë të tjerëve si shembulli i tij, në dashurinë e tyre për Resulull-llahin (a.s). Xhaminë e ka pushtuar paqeja e përmendjes së Habibit..! Pelerina e paqes dhe pastërtisë së kësaj dashurie, na ka mbuluar të gjithëve me ngrohtësinë dhe mëshirën e saj. Sytë e të pranishëmve vezullojnë. I dritëson begatia e përmendjes së alejhi selamit! Me siguri, ata sy, përkthejnë zemrën e ndezur nga zjarret dashurore të një besimi e një mallëngjimi për Mësuesin e tij!

Na kishte marrë malli për pak mallëngjim! Na kishte marrë malli për pak erë Resuli! Na kishte marrë malli për shembuj dashurie që mbajnë gjallë zemrën dhe e ushqejnë atë përherë me prehje e mirësi! Për pak, ishim bërë si Mexhnuni, që kur e pyesnin për emrin e tij, thoshte: Lejla! Kur pyetej se nga vinte, thoshte: Lejla! E, kur pyetej se nga shkonte, thoshte: Lejla!

Na kishte marrë malli për ty, ja Resulall-llah..!

 

Muhamed Sytari