ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Amanet haxhilerëve!

(Shkodër, Tophanë, më 20 nëntor 2009)  

 “Dhjetë ditët e para të muajit Dhulhixhe, janë ofertë hyjnore për çdo njeri që ka gabuar, që të kërkojë falje dhe të pendohet. Ofertë hyjnore  për çdo njeri që ka humbur rrugën e udhëzimit, që të kthehet në rrugët e tij. Ofertë hyjnore  për çdo njeri që ka humbur busullën e afrimit me dashurinë e All-llahut (xh.sh), që të shtojë dhikrin, virdet, leximin e Kur’anit, salavatin përmbi Resulull-llahin (a.s) në këto ditë të madhnueshme. Për të shtuar bamirësitë e të gjitha llojeve në këto ditë adhurimi.
Të lumtë ata që Krijuesi Fuqiplotë ua ka mundësuar vizitën e Shtëpisë! Të lumtë ata që me petkun e bardhë të devoshmërisë do të dalin gjatë këtyre ditëve (dhe në ato që pasojnë Kurban Bajramin) në tavafin e shkrirjes me dashurinë dhe përuljen përpara duarve të All-llahut subhanehu ve teala! Të lumtë ata që u është mundësuar të dalin përpara dritares më të ndritur në botë, pas së cilës është rrezatimi më i madhnueshëm i kësaj bote, Resulull-llahi, alejhis-salatu ves-selam!
Dhe ne u lëmë amanet haxhilerëve, të na përmendin për mirë para duarve të Qabes së madhnueshme! Të na përmendin për mirë para duarve të Resulull-llahit (a.s)! T’i përcjellin Pejgamberit (a.s), me dashurinë e secilit prej nesh, selamet dhe mallëngjimin tonë për takimin me Zotërinë e tij, alejhis-salatu ves-selam! T’i përcjellin Resulull-llahit (a.s) ah-et e zemrave tona për takimin me Zotërinë e tij, alejhis-salatu ves-selam! T’i përcjellin Pejgamberit se jemi në besën e tij! T’i përcjellin Pejgamberit se jemi në rrugën e tij dhe se nuk e thyejmë dhe nuk e prishim besën e besimit, besën e përuljes, besën e dashurisë, besën e të qenurit shërbëtore të fesë së All-llahut!
Atyre që shkojnë në Arefat, në këto ditë të madhnueshme, i lutemi të na përmendin në duatë e tyre, sepse është momenti më i madhnueshëm e krejt jetës, ku të gjithë njerëzit, me rrobat e tyre të bardha, i janë dorëzuar vullnetit të All-llahut (xh.sh)!
Kjo atmosferë në të cilën jetojmë dhe në të cilën jeton krejt ymeti islam, është më e madhnueshmja e krejt ditëve të vitit! Prandaj, mos t’i lëmë këto mundësi të shkojnë pa dobi! Të përpiqet secili në veten e tij që gjatë këtyre ditëve, deri në ditën e Kurban Bajramit, të gjejë kohën për të saktësuar marrëdhënien e tij me All-llahun e Madhëruar! Të gjejë kohën për respektimin e virdit të tij! Të gjejë kohën për respektimin e leximit të Kur’anit! Të gjejë kohën për të shtuar salavatin! Të gjejë kohën për të shtuar istigfarin, sepse të gjithë ne kemi nevojë të kërkojmë falje para Zotit tonë, sikurse kemi nevojë të pendohemi me sinqeritet para duarve të Tij subhanehu ve teala!”


Nga hytbeja e mbajtur nga Imam Muhamed Sytari,

në xhaminë e Tophanës, më 20 nëntor 2009


Shih në youtube:

http://www.youtube.com/watch?v=7_67kuulO6w&feature=channel
 

 
Nga hytbeja e mbajtur nga Imam Muhamed Sytari, Tophane, me 20 nentor 2009
Nga hytbeja e mbajtur nga Imam Muhamed Sytari, Tophane, me 20 nentor 2009
Nga hytbeja e mbajtur nga Imam Muhamed Sytari, Tophane, me 20 nentor 2009 
Nga hytbeja e mbajtur nga Imam Muhamed Sytari, Tophane, me 20 nentor 2009 
Nga hytbeja e mbajtur nga Imam Muhamed Sytari, Tophane, me 20 nentor 2009