Aktiviteti shkencor: “Rreth Kuranit”

(Shkodër, më 27 shtator 2008) 

   Paraditen e sotme, në ambientet e Qendrës Kulturore “Progresi”, Medreseja “Haxhi Sheh Shamia”, organizoi aktivitetin shkencor: “Rreth Kur’anit”.

   Aktiviteti që filloi me këndimin e një pjese kur’anore, e shfaqur nëpërmjet një ekrani të madh të vendosur në ballinë të sallës, u pasua me referatin e teologut Artur Tagani: “A e shkroi Muhammedi (a.s) Kur’anin?”, në të cilin hodhi dritë mbi vërtetësi kur’anore mbi prejardhjen e Librit, si dhe komentoi disa nga tezat e gabuara të orientalistëve dhe kundërshtarëve të tjerë të Islamit në lidhje me prejardhjen e tij.

   Në referatin e tij, myftiu i Gjirokastrës, teologu Gëzim Dungaj, referoi: “Shkenca e Kur’anit, tefsiri”. Në referatin e tij ai zbuloi të panjohura të ndryshme për të pranishmit në lidhje me shkencën e tefsirit, mufesirët më të njohur të Librit të fundit, shkollat përkatëse, lidhjet e komentimit të Kur’anit dhe dijetarët përkatës për secilin lloj etj.

   Në vijim të aktivitetit, ishte radha ime që të paraqisja para të pranishëmve, ekspozitën e titulluar: “Kur’ani Famëlartë në kulturën e popujve”. Në përbërje të saj ishin vendosur 40 njësi interesante, pjesë e bibliotekës time personale. Në mesin e njësive të ekspozuara ishte edhe Mus’afi Sherifë me komentin dhe shpjegimin e njësive të Kuranit, shoqëruar me shenjat e texhvidit, shkaqet e zbritjes së ajeteve të Imam Sujutit dhe bibliografinë e plotë të tematikës dhe termave të Kuranit, nga Dr. Muhammed Hasan el-Humsi, në peshtaf me dekor të motivuar oriental. Në brendi të tij, janë shënuar edhe mënyrat e shqiptimit të  ajeteve të ndryshme sipas këndimeve: Kalûn, Versh, Shu’be, Dûri dhe Sûsi. (Dhuratë e Kryemyftiut të Sirisë, Shejkh Ahmed Keftaro), Mus’hafi i përdorur nga Hafiz Halid Bushati, sureja “El-Vakia”, me kaligrafinë e H. Idriz Boksit etj. Ndër pjesët përbërëse të kësaj ekspozite ishin edhe disa kopje të Kur’anit Famëlartë të përkthyer në gjuhët italiane, frënge, turke e shqiptare.

   Aktiviteti tërhoqi vëmendjen e të pranishëmve, për larminë e tij dhe njohuritë e shumta të reja që solli.

   Nga ana e saj ekspozita e Librit të Madhërueshëm, ishte një risi e bukur në mesin e veprimtarive të shumta islame që organizohen në qytetin tonë. Ajo tërhoqi vëmendjen e intelektualëve dhe studentëve të ftuar në këtë tryezë të ngrohtë besimi e diturie.

   Aktiviteti në fjalë u pasqyrua më pas edhe në edicionet e lajmeve të ditës, në televizionet lokale të Shkodrës, Tv1 Channel dhe Tv Rozafa.

 

 

Aktiviteti shkencor: “Rreth Kur’anit” - 27 shtator 2008
Aktiviteti shkencor: “Rreth Kur’anit” - 27 shtator 2008
Aktiviteti shkencor: “Rreth Kur’anit” - 27 shtator 2008
Aktiviteti shkencor: “Rreth Kur’anit” - 27 shtator 2008 
Aktiviteti shkencor: “Rreth Kur’anit” - 27 shtator 2008
Aktiviteti shkencor: “Rreth Kur’anit” - 27 shtator 2008