Muhamed Sytari
thirrës islam
Aktivitetet e një dite me emocionet e Natës së Kadrit...
(Shkodër,
më 26 shtator 2008 )
1. Hytbeja e xhumasë, në xhaminë e Tophanës
Hytbeja e
fundit e këtij Ramazani ishte lamtumira më emocionuese e një
muaji, i cili u bë për ne natyrë adhurimi dhe dëshirë
përkushtimi, ndryshe nga çdo muaj, ndryshe nga çdo natyrë e
dëshirë, jashtë tij.
Asaj i
parapriu një ders plot vlera nga thirrësi islam Lavdrim Hamja, i
cili hodhi dritë mbi rëndësinë e Natës së Kadrit, madhështisë së
saj dhe sesi besimtari duhet ta shfrytëzojë atë për të fituar sa
më shumë nga mirësitë dhe dhuntitë e saj të panumërta.
Njëkohësisht sqaroi të pranishmit për dobitë e sadekatul-Fitrit,
mënyrën e nxjerrjes së tij, kohën dhe destinacionin përkatës.
Në hytben
time të xhumasë, e fundit për këtë Ramazan, komentova veçoritë e
sures “Kadr”, të cilat janë më të shumta, sesa të përkufizohen
në një hytbe xhumaje. Pikëreferimi im kryesor në këtë hytbe
ishte tefsiri i Imam Kurtubiut, në të cilin vlerat e kësaj
sureje dhe kësaj nate fitojnë dimensione më të mëdha dhe dobi të
panjohura më parë nga xhemati i xhamisë dhe lexuesi i rëndomtë i
librave të kulturës islame.
Hytbeja e
xhumasë u shoqërua nga emocione të mëdha, të cilat reflektuan
edhe në namazin e xhumasë dhe në duanë e gjatë në gjuhën shqipe,
menjëherë pas tij. Emocionet e ndarjes nga xhumaja e fundit e
këtij Ramazni mbuluan krejt xhaminë e Tophanës dhe xhematin e
saj, si me një mbulesë të hollë, por të ngrohtë butësie hyjnore
e prekje ruhanite, prej prekjeve ramazanore..!
Ishte një
lamtumirë plot mallëngjim e zemër të thyer, kjo e sotmja, me
muajin e madhërueshëm të Ramazanit, me xhumatë e tij, me tubimet
e ngrohta të kësaj dite, në të cilën harmonia e vëllazërisë
islame spikat më shumë se në çdo ditë e çdo tubim!
2. Hatmeja e Kur’anit, në xhaminë “Ebu Bekër”
Në xhaminë “Ebu
Bekër”, që një orë para namazit të iqindisë ishin mbledhur
besimtarë të shumtë, burra e gra, të ardhur nga shumë xhami të
qytetit e të fshatit, të gatshëm për fillimin e përfundimit të
hatmes së Librit, që nisi ditën e parë të këtij agjërimi, më 1
shtator 2008, në xhaminë qendrore të Parrucës, ku edhe vazhdoi
gjatë gjithë ditëve të këtij muaji, deri më sot, kur përfundoi e
zhvendosur në xhaminë “e madhe”.
Çallma të
shumta e fesa të bardhë, kishin mbushur fasadën e mihrabit të
xhamisë së Elzamilit. Ishte H. Faik Hoxha i moshuar, myftiu i
Shkodrës I. Ndriçim Sulejmani, thirrësi islam Lavdrim Hamja,
teologu Arben Halluni, imami i xhamisë së Parrucës, Naim Drijaj,
ai i xhamisë “Ebu Bekër”, Idmir Plaku, imamë e muezinë të shumtë
të xhamive të tjera. Ishte edhe Hafiz Zijaudin Mert, me mjekrën
e bardhë, hafizët e ardhur nga Turqia, H. Nuredin Demir, H.Xhelal Shahin etj., të cilët këndonin me radhë pjesët e fundit të
xhyzit të tridhjetë nga Libri i fundit..!
Atmosfera në
xhami është e ngrohtë. Përveç hoxhallarëve, edhe shumë prej të
pranishëmve mbajnë nga një Mus’haf para duarve, duke ndjekur me
vëmendje këndimin e sureve, njëra pas tjetrës. Ka prej tyre që
teksa ndjekin këndimin, lexojnë me zë të ulët. Ka prej atyre që
këndimin e pjesëve të ndryshme kur’anore e ndjekin me lëvizjen e
gishtit mbi faqet e Librit. Ka edhe prej atyre që thjesht
dëgjojnë me vëmendje dhe shpesh zgjasin kokat, saherë mikrofoni
i radhës së këndimit kalon nga njëra dorë në tjetrën. Pamja e
kësaj ceremonie është mjaft e bukur dhe emocionuese. Të gjithë
po përfundojnë sëbashku maratonën 27 ditore të hatmes së
Kur’anit Famëlartë. Po mbyllin një kapitull dhe po hapin një të
ri. Po i bëjnë munaxhât All-llahut (xh.sh)!
Me afrimin
nga suret e fundit, afron edhe momenti i përmbushjes së kësaj
hatmeje sherife, e cila u shndërrua për qëllim adhurimi për
shumë prej të pranishëmve, siç u kthye edhe për mundësi tubimi e
shfaqjeje para xhematit për disa që lidhjen me hatmen e ruajnë
vetëm për ditën e saj të fundit...
Duanë e
hatmes e drejtoi myftiu i Shkodrës, ndërsa namazin e iqindisë që
pasoi, imami i xhamisë.
Shtrëngimi i
duarve dhe përqafimet e përzemërta, me urimin: “Zoti ta baftë
kabull!”, ishin momentet e fundit të një ceremonie të thjeshtë
në pamje të parë, shumë të përshpirtshme e me vlera besimore e
shpirtërore, në realitet!
3. Teravia e njëzeteshtatë në xhaminë e Tophanës
Haremi i
xhamisë së Tophanës, në këtë natë të madhnueshme, në të cilën
presim takimin e Natës së Kadrit, i ngjan tubimeve të ditës së
xhuma a të Bajrameve, ku pas një momenti të caktuar para
fillimit të ceremonisë fetare, nuk ke më vend se ku të ulesh...
Ky realitet
të gëzon për faktin se falë Zotit, praktikuesit e Islamit dhe
mësimeve të tij po shtohen çdo ditë e më shumë, edhe pse
tentativat për tjetërsimin e identitetit të tyre fetar në vendin
tonë, nëpërmjet politikës, medias e shumë faktorëve të tjerë,
janë egërsuar më shumë se asnjëherë tjetër!
Por, ky
realitet të bën të mendosh se ka ardhur koha që në xhamitë tona
duhet vënë dorë menjëherë, për zgjerimin e ambienteve të faljes
dhe pasurimin e tyre me anekse të tjera të domosdoshme për
funksionimin e duhur të jetës fetare në to, si p.sh.: salla e
konferencave, salla e leximit, çardaku i çajit dhe i kafesë,
salla e muzeut të xhamisë etj.
Namazin e
kësaj teravie, sëbashku me thirrësin islam Lavdrim Hamja, e
kishim konceptuar më ndryshe se netët e tjera. Pas çdo selami,
do këndonim nga tre salavate, dhikre e lutje të ndryshme, si: “Ja
dhel-xhelali vel-ikram”, “hasbijall-llahu ve ni’mel-vekil”, etj.
Teksa
këndonim sëbashku me të pranishmit e panumërt, dukej se nuk
ishim vetëm ne, ata që i luteshin dhe e madhëronin All-llahun
Mëshirëplotë. Zëri kishte më forcë, më përshpirtësi, më
ngrohtësi, më kumbim! Ishte, si të thuash, si një miksim zërash,
të dukshëm e të padukshëm. Ishte mishërim i hadithit të Enesit (r.a):
“Kur të jetë Nata e Kadrit, do të zbresë Xhibrili në krye të një
taborre me melekë, të cilët falen dhe i japin selam çdo njeriu
që, në këmbë a i ulur, i bën dhikër All-llahut”[1]
Namazi i
teravisë u shoqërua me këndimin e disa lutjeve kur’anore dhe me
duanë e madhe, në zemrën e së cilës ishte leximi i 99
esmaul-husnave. E veçanta e kësaj duaje ishte se teksa përmendja
këto emra, njëri pas tjetrit, xhemati i pasonte me thirrjen “Ja
All-llah”, ç‘ka ia shtonte përshpirtësinë dhe emocionet duasë së
Natës së Kadrit.
Duaja, u
pasua me namazin e vitrit, pas së cilit, salavati tradicional
ishte mbyllja më e mirë e pjesës së par të kësaj nate. Kishin
kaluar mbi dy orë nga fillimi i namazit të teravisë dhe të
gjithë shihnin të habitur nga ora, që në këtë natë ishte
rrethuar nga beagtia dhe mirësitë e selamit që zbriste
nga lartësitë e pastra, për t’u përhapur në tokë, si një balsam
shërues...
Pas
përqafimeve me xhematin e xhamisë së Tophanës, u drejtuam për në
fshatin Mes Myselim, për dersin e kësaj nate dhe lutjen e saj me
xhematin e saj.
4. Dersi i Natës së Kadrit, në xhaminë e fshatit Mes Myselim
Rrugës për
në xhaminë e fshatit Mes Myselim zgjedhim të kalojmë nga fshati
Bardhej, xhamia e të cilit ndriçohet, e zbukuruar nga urimi: “Gëzuar
Ramazanin”, teksa nga brenda drita e llampushkave vezullon, duke
krijuar në këtë mënyrë atmosferën e një Feste të madhe, më të
madhes Festë!
Ndonëse nata
është errësuar dhe yjet, në lartësitë qiellore, janë më të
dritshëm se asnjëherë, xhamia e fshatit Mes Myselim është e
mbushur me besimtarë të shumtë, një pjesë e mirë e të cilëve
janë të rinj në moshë, në mesin e të cilëve janë edhe
medresistët e kësaj zone.
Askush nuk
ka lëvizur nga xhamia, që nga momenti i fillimit të namazit të
jacisë, pasuar nga teravia, vitri dhe lutjet e Natës së Kadrit,
të drejtuara nga imami i saj, thirrësi islam Altin Nikshiqi.
Ambienti i
jashtëm i xhamisë së Mes Myselimit, zbukurohet edhe nga një
shatërvan i bukur, i cili përveçse dhuron kënaqësi dhe frymëzim,
me zhurmën e rrjedhjes së ujit, justifikon shumë mirë edhe
praninë e tij në një ambient të tillë, burim qytetërimi, besimi
e kulture!
Selamit tim
në hyrje i përgjigjen të gjithë njëzëri. Xhamia ushton paqshëm
me përshëndetjen e paqes!
Nga kursija
e dersit, xhamia duket e tejmbushur. Edhe mafili i grave është i
tejmbushur, ç’ka vërteton besimin e patundur të këtyre njerëzve,
dëshirën e madhe për t’u lutur, nevojën e pamohueshme për All-llahun
dhe mëshirën e Tij!
Dersi i
kësaj nate sillet rreth vlerave dhe dobive të Natës së Kadrit.
Të gjithë dëgjojnë me vëmendje. Të gjithë shpresojnë të kenë një
hise sa më të madhe nga dobitë dhe prekjet rahmanite të
kësaj nate plot paqe e pastërti shpirtërore! Të gjithë çojnë
duart lart dhe me “amin-at” e tyre shoqërojnë duanë time në
gjuhën shqipe, për mbarësinë e tyre, për sigurinë, rizkun, jetën
e mbarë, shëndetin, ruajtjen nga sprovat e femohimit, lartësimin
e kësaj feje në këtë zonë e në krejt Shqipërinë, nga kjo ditë e
deri në ditën e fundit, brez pas brezi, për harmoninë islame,
për faljen e gabimeve, për pendimin e sinqertë, për udhëzimin e
zemrave, për.., për..!
Është një
natë e mbarë që ka mbledhur në xhaminë e fshatit Mes Myselim, jo
vetëm banorë të këtyre dy fshatrave, por edhe nga xhamia e
fshatit Bardhej, të cilët i drejton imami i tyre, Ilir Dizdari,
i pranishëm me ne, në lutjet e kësaj nate.
Nga xhamia e
fshatit Mes Myselim, largohemi të shoqëruar nga lutje të ngrohta,
urime të sinqerta e ftesa për t’u kthyer sërish në mesin e
besimtarëve të saj.
Rrugës,
teksa kthehemi për në qytet, pastërtia e qiellit, qetësia që
mbizotëron kudo, heshtja e ëmbël dhe përshpirtësia e kësaj nate
të njëzeteshtatë, na mbulon me ngrohtësinë e saj, duke na bërë
të mos e ndjejmë efektin e kohës, që kalon si pa u ndjerë drejt
momenteve më kulminante të një nate të gjatë plot dritë adhurimi
e nxitje përkushtimi të dlirtë..!
[1]
Ebu Abdull-llah Muhammed ibn Ahmed el-Ensari el-Kurtubi,
“El-xhamiu
li ahkamil-Kur’an”,
botimi II, Kajro, 1996, vëll.
20, fq. 133.
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|