Muhamed Sytari
thirrës islam
Xhenazja e Imam Vehbi Ismailit në xhaminë e Tophanës
(Shkodër,
e xhuma, më 23 maj 2008 )
Sot,
nëpërmjet minberit të xhumasë, thirrësi islam Muhamed Sytari, ka
nisur një cikël të ri ligjëratash me temë madhështinë e besimit
islam në dëshmitë e Resulull-llahit (a.s).
Në ligjëratën e tij, hatibi i xhamisë së Tophanës, i ka bërë
thirrje të pranishëmve të shumtë në xhami për të bartur me
sinqeritet amanetin e Resulull-llahit (a.s), përhapjen e dijes
dhe bindjes në Njësinë absolute të Krijuesit të gjithësisë.
“Secili prej nesh duhet të angazhohet për t’i mësuar të afërmit,
mikut, fëmijës, të rinjve, dëshminë se nuk ka Zot tjetër pos
All-llahut që është thelbi i fesë tonë”- ka theksuar ndër të
tjera ai.
Në hytben e dytë të kësaj xhumaje, Sytari ka bërë të ditur para
xhematit lajmin e ndërrimit jetë të Imam Vehbi Ismailit, në
moshën 89 vjeçare, në Michigan të ShBA. Pasi ka bërë një
biografi të këtij dijetari të shquar islam me origjinë
shkodrane, ai ka kërkuar nga institucionet islame në vend,
interesim maksimal për të mos lënë që emri i këtij dijetari dhe
autori të shquar të humbasë në labirintet e pluhurosura të
harresës së kombit tonë. Ai ka kërkuar vlerësimet maksimale për
emrin e madh të dijetarit të shquar, themelues të Qendrës Islame
Shqiptare në Michigan e përtej tij, në ShBA.
Në fund, ai ka ftuar të pranishmit që në përfundim të namazit të
xhumasë të falin sëbashku namazin e xhenazes në mosprani për
Imam Vehbi Ismailin, shoqëruar me një lutje për shpirtin e tij.
Namazi i xhenazes në mosprani, për shpirt të dijetarit të madh
shqiptar është drejtuar nga thirrësi islam Muhamed Sytari.
Ahmed Mahiri