"Ve alejkes-selam..." - promovimi i librit që përcjell mesazhe harmonie qytetare dhe ndërfetare

(Shkodër, më 7 qershor 2008) 

Sot para dite, në orën 10.00, në ambientet e Hotel Grand Europa, thirrësi islam Muhamed Sytari ka organizuar aktivitetin e promovimit të librit të tij të dhjetë të titulluar: “Ve alejkes-selam...”.

Aktiviteti që ka filluar me recitimin e disa ajeteve kuranore nga moderatori i këtij aktiviteti, thirrësi islam Lavdrim Hamja, është pasuar nga referati i mbajtur nga teologu Artur Tagani, i cili ka vlerësuar frymën e librit dhe harmoninë e temave të tij me realitetin e përditshëm shqiptar. Njëkohësisht, ai ka vlerësuar punën e autorit duke e falënderuar atë për këtë kontribut të vyer në shërbim të literaturës islame në vendin tonë.

Shkrimtari dhe dramaturgu i shquar Fadil Kraja, ka analizuar përmbajtjen e vepërs së re të Sytarit duke e vlerësuar atë për larminë e zhanreve të lëvruara në këtë libër. Ndër të tjera ai ka theksuar se: “Muhamedi beson dhe mesazhi i libri të tij është: Beso edhe ti! Në librin e tij ai thotë: Unë jetoj në paqe, jeto edhe ti në paqe! Unë respektoj besimin tënd, respekto edhe ti besimin tim!”. Pastaj, ai ka vazhduar: “Libri është shkruar bukur, me shije dhe me dell letrar. Falë edhe redaktimit serioz dhe mjeshtror të redaktorit Bushati, kemi në dorë një libër divulgativ, që lexohet me endje nga çdo moshë dhe çdo kategori qytetare, sepse siç thashë më lart janë prozë e larmishme, ese teologjike, përshëndetje dhe urime gati gati poetike, ata janë nganjëherë edhe si tregime të mirëfillta, gjë që e profilizon autorin edhe si shkrimtar”.

Redaktori i librit, shkrimtari Xhahid Bushati, pasi ka analizuar në detaj përmbajtjen e librit të ri të Sytarit, ka hedhur dritë edhe mbi disa botëkuptime të rëndësishme dhe mesazhe që burojnë nga ky libër në lidhje me bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare në këndvështrimin islam. Ai ka analizuar edhe psikologjinë e thirrësit islam në përballjen e tij të përditshme me realitetet e shumta të shoqërisë shqiptare, nëpërmjet shkrimit “Ecejake në labirinthet e mendjes së një thirrësi islam...”.

Në përshëndetjen e tij, Haxhi Sheh Faik Hoxha, ka falënderuar kontributet e thirrësit islam Muhamed Sytari me këtë libër të ri dhe njëkohësisht është lutur për mbarësinë dhe vazhdimësinë e tij në rrugën e nisur, në shërbim të Thirrjes Islame.

Dom Gjovalin Sukaj, famullitar i Shkodrës, e ka uruar përzemërsisht autorin e këtij libri duke theksuar nevojën e njerëzve sot për të lexuar e për t’u drejtuar nga besimi në Zotin, edhe nëpërmjet besimit.

Atë Nikolla Petani, përfaqësues i kishës orthodhokse Shkodër, ka vlerësuar Sytarin për këtë kontribut të vyer në shërbim të besimtarëve dhe njëkohësisht ka ngritur zërin për mosinteresimin e njerëzve sot kundrejt vlerave të librit në përgjithësi.

Aktiviteti është mbyllur me përshëndetjen e autorit të librit të promovuar, Muhamed Sytari, i cili ka hedhur dritë mbi arsyet e përzgjedhjes së këtij titulli për librin e tij. Ai njëkohësisht ka theksuar nevojën e madhe që ka sot shoqëria shqiptare për të konsoliduar vlerat e bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare. Ai ka falënderuar përfaqësuesit e komuniteteve fetare të pranishëm në këtë aktivitet dhe ka theksuar, se: “Ky aktivitet ka shërbyer më së miri për të përcjellur këtë mesazh të rëndësishëm të harmonisë ndërfetare në qytetit tonë, edhe jashtë suazave institucionale”.Në fund të aktivitetit, për të pranishmit është shtruar një kokteil.

Në këtë aktivitet merrte pjesë edhe prefekti i qarkut Shkodër, z. Maxhid Cungu, përfaqësuesi i K.M.Sh, z. Genti Kruja, kryeimami i Ulqinit, H. Rexhep ef. Lika, kryetari i këshillit të Bashkësisë Islame Ulqin, z. Avdo Gorana, drejtori i Seminarit Jezuit Shkodër, Atë Mario Imperatori, drejtori i medresesë “Haxhi Sheh Shamia”, z. Kujtim Dervishi, përfaqësues të mediave vizive e të shkruara e shumë personalitete intelektuale e shkencore të qytetit e jashtë tij.

 

Ahmed Mahiri