Muhamed Sytari
thirrës islam
Sprova e vegjetuesve në fushat e Thirrjes Islame...
“Do të ketë në kohën e fundit adhurues xhahilë dhe lexues të çthurrur”
Muhamed Sytari
Thirrës islam- Shkodër
Isha
angazhuar në përzgjedhjen e disa haditheve nga enciklopedia e
dobishme e Imam Sujutit, “El-xhamius-sagir”, për qëllime të
hulumtimit shkencor dhe përhapjen e dobisë së tyre. Ndër
hadithet e zotërisë së bijve të Ademit, (përmbi të dhe
familjen e tij qofshin më të mirat salate dhe selame) ishte
edhe një shprehje e tij, nëpërmjet së cilës tërhiqte vëmendjen
drejt një realiteti të pranishëm në ahirizaman, në kohën e
fundit, në prag të kijametit.
“Do
të ketë në kohën e fundit adhurues xhahilë dhe lexues të
çthurrur”, thoshte i dërguari i All-llahut, sipas
transmetimit të Ebu Nuajmit në “El-Hilje” dhe Hakimit nga Enesi
(r.a).
Hadithi i
mësipërm, ndonëse nuk i ka shpëtuar fjalëve të verifikuesve të
tij, në të vërtetë “është i saktë në pamjen e tij të parë, nga
se po shohim sot prej njerëzve”, siç do të shprehej Imam
Kurtubiu në lidhje me të.[1]
Herë pas
here në realitetin e përditshëm të Thirrjes Islame në vendin
tonë, ndeshemi edhe me të atillë që ndonëse me një mungesë të
theksuar kulture, edukate e morali islam, mundohen të bëjnë
rolin e udhëheqësve e prijësve fetarë. Ata, me fodullëkun e
tyre, trashëgim i një kohe e një sistemi fodull, pa asnjë
ndrojtje e frikë marrin përsipër të bëjnë role të ndryshme
parësore në skenat e Thirrjes Islame, ndonëse vendi i tyre është
diku tjetër, aty ku mund të shprehin energjitë e tyre dhe
vullnetin për të qenë prijës. Në urtësitë e popujve thuhet: “Kush
hyn në një fushë që s’është e tija e mundohet të bëjë të zotin e
saj, pa qenë i aftë për të, herët a vonë, do të dëbohet prej
saj, do të ulet e do të zhvlerësohet në syrin e njerëzve, e nuk
do të ketë të drejtë të pyesë: Pse?”!
Rigjallërimi
i fesë në vendin tonë në vitet ‘90, i gjeti muslimanët më të
varfër se asnjëherë tjetër në aspektin e diturive të fesë së
tyre. Hoxhallarët dhe prijësit e shquar kishin kaluar nga kjo
jetë me një brengë të madhe në zemër, duke marrë me vete
dëshmitë e një soj kijameti shqiptar mbi kokat e tyre dhe të
Islamit shumëshekullor.
Rreth
drejtuesve të rinj fetarë (ish-talebe, ish-medresistë a
trashëgues të drejtpërdrejtë të hoxhallarëve të shkuar) u
mblodhën dashamirë e të rinj të shumtë. Një pjesë prej tyre
morën rrugët e dijes nislame e shumë të tjerë nuk e patën këtë
mundësi.
Vitet kaluan
e sëbashku me ta mungesa e njerëzve të ditur e të thelluar në
dituritë e kësaj feje (për rrjedhojë edhe administratorë
largpamës të interesave islame të bashkësisë së tyre islame),
krijoi shenjat e saj në trupin e Thirrjes Islame në vendin tonë
duke i dhënë asaj formë e përmasë, si forma e përmasa e të
zotëve.
U kthyen
hoxhallarët e rinj. Vegjetuesit në fushat e Thirrjes Islame,
shpesh të shoqëruar edhe me vargonj e tabela protestash
provinciale në duar, ishin “ulur” në poste gjyqtarësh, e shumë
shpejt, duke lënë pas krahëve të shkuarën e tyre (shpeshherë
jo të bardhë), nisën të bëjnë “gjyqe publike” për
hoxhallarët e rinj. I ngjasonin revolucionaristëve të kuq
përballë “armiqve të popullit”.
Nuk
nguronin, kudo që shkonin nëpër xhami e mexhlise të ndryshme, të
krekosur si intelektualë e ideatorë të aftë province, të hedhnin
baltë e vrerë ndaj njërit e tjetrit prej teologëve të rinj. Si
nuk shpëtoi ndonjëri xhanëm, prej helmit të gjuhëve të tyre?
Njëri selefist, tjetri sufist, ai mu’tezili me akide të prishur,
ky tjetri pa mjekër, ai atje me mjekër të gjatë, ky afër me
medhheb e ai atje larg pa medhheb. Njëri me prejardhje kështu e
tjetri me prejardhje ashtu, njëri i biri i filanit e tjetri nipi
i iksit... nuk shpëtoi njeri, derisa në mjediset e xhamive tona
kjo frymë e ulët xhahile e këtyre vegjetuesve në fushat e
Thirrjes Islame, filloi të përhapej si një epidemi frikësuese (reflektim
i gjendjes së përgjithshme tranzicionale të shoqërisë shiptare).
S’domend,
kjo është një sprovë e madhe për të gjithë shërbestarët e
përhapjes së fjalës së Njësisë, pas sprovës së komunizmit mbi
baballarët e tyre shpirtërorë, nga njerëz të paformuar,
provokues e pse jo edhe të futur në mjediset tona për të
përçarë, për të deformuar, për të përdorur të drejtën në shërbim
të së shtrembërtës, për të krijuar dasira e për të nxitur
urrejtje e dashakeqësi në mesin e muslimanëve.
E karshi
këtij realiteti, detyra e hoxhallarëve të rinj është e madhe.
Angazhimi i tyre me xhematet e xhamive, e përtej tyre, për të
përhapur dije të dobishme, kulturë e urtësi e për t’u mësuar
abëcënë e fesë islame sipas rregullave shumëshekullore, jo sipas
epsheve të vegjetuesve në fushat e Thirrjes Islame e kapriçove
të tyre, është një parësi në detyrën dhe angazhimet e tyre të
sinqerta. All-llahu iu bëftë ndihmë!
Shembulli i
tyre në këtë sprovë i ngjason shembullit të tabiiut të ditur,
imamit të imamëve fukaha, Ebu Hanife Nu’manit, të cilit i erdhi
një ditë një person që e shau dhe e fyu rëndë në syrin e një
grupi njerëzish, duke i thënë: “o qafir, o zindik!”, pra “o i
pafé dhe o shfaqës i besimit duke fshehur mosbesimin”. Ndërsa
Imami i urtë ia ktheu: “Të faltë All-llahu! Ai di për mua
të kundërtën e asaj që the!”[2]
E sa herë që
epshet e vegjetuesve në fushat e Thirrjes shumëshekullore Islame
do të ngrihen e do të ulen, ne do të lutemi për ta, duke u lutur
fillimisht që Zoti të na ruajë nga debatet shterpë, mbytëse të
zemrave dhe ndjenjave të pastra besimore: “Zoti i faltë, i
udhëzoftë, a të dyja sëbashku! Amin!”
Shkodër, më 3 dhjetor 2007
[1]
Muhammed Abur-Rauf el-Mennavi,
“Fejdul-Kadir”,
vëllimi VI, Bejrut 1996, fq. 571.
[2]
Vehbi S. Gavoçi: “Ebu Hanife Numani- imami i imamëve
fukahâ”, në gjuhën arabe, botim i shtëpisë botuese “Darul-Kalem”,
Damask, 1999, botimi i gjashtë, fq. 100.
Comments (3)
17.01.08