ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Sahabët e Resulull-llahit (a.s)- yjet e kësaj feje, prijësit tanë...

(Nderojini sahabët e mi sepse ata janë më të mirët tuaj!”) 

Imam Muhamed Sytari


                Nga gjuha arabe, fjala sahib, do të thotë shoqërues, mik, shok. Në terminologjinë fetare islame, sahabiu është: “Ai që e ka takuar profetin (a.s) duke qenë besimtar dhe që ka vdekur në Islam”.[1]

Për nga natyra humane, sahabët janë njerëzit më të mirë pas profetëve të All-llahut.

“Ehlus-sunne janë dakort se të tërë sahabët janë të ndershëm e të drejtë”[2], fakt që na obligon me më shumë respekt dhe nderim për secilin prej këtyre burrave të nderuar që All-llahu i Madhëruar i përzgjodhi të ishin në krahët e më të dashurit të krijesave të Tij, në momentet më kulminante të jetës dhe misionit të tij profetik.
               
Në ilahitë e tij të botuara me shkronja arabe, Hafiz Jusuf Këlmendi (1876-1943), thotë:


Salavat bjerni rob     mas atij habibit
Sahabeve tân rob     se janë yjet e dinit
Nër sahabe rob fort     ruje gojen ti
Se me shâ sahabet rob    bahesh rafidí
Rafidí asht q’aj hej     që levdon Alínë
Shân Eba Beqirin hej     edhe Omerínë


                Gjashtë vargjet e mësipërme tërheqin vëmendjen drejt një çështjeje për të cilën duhet të zbardhim disa fakte. Autori nxit salavatin dhe respektin ndaj sahabëve të Resulull-llahit (a.s). Në këtë pikë, ai shkon pas udhëzimit kur’anor, në të cilin sahabët kanë marrë një vlerësim të jashtëzakonshëm duke u etiketuar si: “populli më i mirë i dalë për njerëzimin”[3]. Ata kanë merituar pëlqimin dhe kënaqësinë e All-llahut, sikurse dëshmohet në Librin e Tij: “Sa u përket besimtarëve të parë prej muhaxhirëve dhe ensarëve, All-llahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë”[4] etj.
               
Autori tregon se sahabët “janë yjet e dinit” dhe ka plotësisht të drejtë. Për këtë dëshmohet në transmetime të ndryshme profetike, si thënia e tij (a.s): “Sahabët e mi janë si yjet, cilindo që të pasoni do të udhëzoheni”[5], ose transmetimi i Rezinit, nga hadithi i Omerit[6] në thelbin e të cilit qëndron një pyetje me të cilën Resulull-llahi (a.s) i drejtohet Krijuesit të gjithësisë rreth divergjencave të sahabëve, pas tij. Zoti i Madhëruar i përgjigjet: “O Muhammed, sahabët e tu tek Unë, janë si yjet në qiell, njëri më i fortë se tjetri, ku secili ka dritë…”[7]. Vall-llahu a’lem!
               
Më pas, autori tërheq vëmendjen e lexuesit për të ruajtur gjuhën në hak të sahabëve, krejt sahabëve, sepse sharja, fyerja a mungesa e respektit në hak të cilitdo prej sahabëve është diçka e ndaluar në fenë tonë. Resulull-llahi (a.s) urdhëron: “Mos i shani sahabët e mi!”.[8] Poashtu, thotë: “Kijeni frikë All-llahun, kijeni frikë All-llahun në sahabët e mi! Mos i bëni ata objekt sharjesh pas meje!...”.[9]
               
Transmetohet nga Enesi (r.a), se Resulull-llahi (a.s) ka thënë: “... Do të ketë në kohën e fundit (ahirizaman) njerëz që do të pakësojnë vlerën e tyre (sahabëve). Mos u martoni me ta! Mos i martoni atyre! Mos u falni me ta! Mos u falni për ta! Ata e kanë merituar mallkimin!”[10]
               
Gjithashtu është transmetuar se Resulull-llahi (a.s) ka thënë: “Kur të shfaqen fitnet (sprovat e intrigat) dhe të shahen sahabët e mi, le ta shfaqë i dituri dijen e tij, e nëse nuk e bën këtë i qoftë mallkimi i All-llahut, melekëve dhe mbarë njerëzve. Atij nuk do t’i pranojë All-llahu as farz, as synet”.[11]
               
Në vargjet e mësipërme, ata që shajnë sahabët janë krahasuar me rafiditë, që janë një “grupim shiit që beson se njerëzit e ehli-bejtit meritojnë të jenë prijës mbi të gjithë sahabët e tjerë, përfshi edhe Ebu Bekrin dhe Omerin…”.[12]

Me fjalë të tjera, autori kthehet me vëmendjen tonë në çështje të vjetra divergjenciale që e kanë ndarë këtë ymet të madhnueshëm islam në sunitë e shiitë. Por, unë nuk do të hy në këtë temë, sepse gjykoj nuk është as vendi as koha për ta bërë një gjë të tillë. Ajo që do të bëj është të zbardh fakte rreth madhështisë së sahabëve dhe të nxjerr në pah gabimin fatal të atyre që guxojnë të prekin me gojët e tyre emrin, madhështinë dhe përkushtimin e cilitdo prej sahabëve të Resulull-llahit (a.s), kushdo qofshin ata e kudo qofshin!

 
 Rafidí asht q’aj hej     që shân Muavínë
Përmi gjithë sahabet hej     qet Hazret Alínë
Rafidí asht q’aj hej     që levdon Alínë
Shân Eba Beqirin hej     edhe Omerínë

 
                Në lidhje me atë çfarë ka ngjarë në mesin e disa sahabëve, dijetarët thonë se “ajo çfarë ka ndodhur ka qenë me planifikim dhe kurdisje të sebeistëve, pasuesve të  jehudiut Ibnus-Seuda”.[13] Ndërkohë, Ibn Haxher Hejtemiu thotë se: “duhet të mbajmë gojën rreth asaj që ka ndodhur në mes tyre, veçanërisht injorantët e rafiditëve dhe shpikësit përçudnues në hak të ndonjërit prej tyre (sahabëve), pasi Resulull-llahi (a.s) ka thënë: “Kur të përmenden sahabët e mi, mbani gojën!”[14] Detyrë e kujtdo që dëgjon diçka është ta vërtetojë dhe të mos ia atribuojë ndonjërit prej sahabëve, vetëm se e ka lexuar në ndonjë libër a e ka dëgjuar prej dikujt...”[15]
               
Realisht, në botën e sotme ka njerëz, që autori i etiketon si “rafiditë”, të cilët të veshur edhe me rrobë fetare dhe në emër të besimit dhe dashurisë së elementëve të caktuar fetarë, shajnë dhe mallkojnë më të mirin e sahabëve të Resulull-llahit (a.s), Ebu Bekrin (r.a), i cili në Kur’anin Famëlartë cilësohet si: “shoku i tij”[16] dhe njeriun, për të cilin Resulull-llahi (a.s) ka thënë: “All-llahu e ka vendosur të vërtetën në gjuhën dhe zemrën e Omerit!”[17]
               
E kam parë me sytë e mi, e kam dëgjuar me veshët e mi, një njeri me rroba të zeza, në një ekran të zizuar nga zia e tij, teksa lutej dhe mallkonte “armiqtë” e Fatimesë (r.a) dhe babait të saj! All-llahu e udhëzoftë! Në jetën time nuk kam ndjerë keqardhje dhe zemërim më të madh se në atë moment për atë rrobëzi dhe nga ai zipërhapës, që vetëm zi e përçmim shpërndante teksa lutej, lutjen e tij injorante, duke mallkuar dy ndër sahabët më të dashur të Resulull-llahit (a.s)!
               
Ne si muslimanë, jemi të urdhëruar të mbajmë gojën dhe të jemi të kujdesshëm në fjalët tona kur flasim për sahabët e Resulull-llahit (a.s), ata që sakrifikuan dhe qëndruan krah për krah me të dërguarin (a.s) në ditët më të vështira, në bojkote e beteja, në etje e uri, në skamje e persekutime të papërshkrueshme!
               
Ne i duam dhe i lartësojmë krejt sahabët. Cilësojmë me veçoritë përkatëse ata që i ka cilësuar vetë Resulull-llahi (a.s), pa dashur të bëjmë me këtë veprim dallim a anim nga njëri apo tjetri prej tyre. Në këtë kontekst, Imam Tahaviu thotë: “Ne i duam sahabët e Resulull-llahit (a.s), por nuk e teprojmë në dashurinë tonë ndaj tyre, as nuk heqim dorë nga asnjëri prej tyre. Urrejmë këdo që i urren! Dashuria e tyre është fe, besim, ihsan, ndërsa urrejtja e tyre femohim, hipokrizi dhe devijim!”[18]
               
E teksa rasti na ndal tek Ebu Bekri (r.a) dhe Omeri (r.a), e shoh të udhës të zbardh disa argumente në hak të madhështisë, gradës dhe vendit të tyre në zemrën e Resulull-llahit (a.s).

Transmeton Bukhariu, nga Ebu Hurejra (r.a), që thotë: Ka thënë Resulull-llahi (a.s): “Ai që më bindet mua, i është bindur All-llahut. Ai që më kundërshton mua, ka kundërshtuar All-llahun. Ai që i bindet dy emirëve të mi, më është bindur mua. Ai që kundërshton dy emirët e mi, më ka kundërshtuar mua!”.

Amr ibnul-Asi (r.a), tregon: E pyeta profetin (a.s): “Kush është më i dashuri i njerëzve për ty?” Tha: “Aishja!” Thashë: “Po prej burrave?” Tha: “I ati i saj!” I thashë: “Pastaj kush?” Tha: “Omer ibnul-Hattabi!”[19]

Ibni Omeri, thotë: Doli Resulull-llahi (a.s) në mes të Ebu Bekrit dhe Omerit dhe tha: “Kështu do të ringjallemi!”[20]

Ebu Xhuhajfe es-Suvai, thotë: Kam dëgjuar Aliun (r.a) që thoshte: “A t’ju tregoj për më të mirin e këtij ymeti pas profetit të tij? Ebu Bekri! A t’ju tregoj për më të mirin e këtij ymeti pas Ebu Bekrit? Omeri!”[21]

Transmeton Enes ibni Malik (r.a), nga profeti (a.s) që ka thënë: “Më mëshiruesi i ymetit tim për ymetin tim, Ebu Bekri! Më korrekti i tyre në fenë e All-llahut, Omeri!”[22]
Transmeton Said ibni Vekkas (r.a), në një hadith të gjatë, ku Resulull-llahi (a.s) i thotë Omerit: “O i biri i Hattabit, pasha Atë që e ka shpirtin tim në dorën e Tij, sa herë që shejtani të takon duke ecur në një shteg, do të ndjekë një shteg tjetër, ndryshe nga shtegu yt!”[23]

Këto argumente e shumë të tjera si shembulli i tyre, duhet të na mësojnë mbi të gjitha edukatën dhe respektin e madh në hak të këtyre burrave të nderuar që sakrifikuan çdo gjë nga jeta e tyre për hatrin e fesë dhe përhapjes së saj me drejtësi, dashuri e argumente të qarta!

Gjithashtu duhet theksuar se teksa flasim për këta dy sahabë të nderuar, nuk nënvleftësojmë aspak asnjë nga sahabët e tjerë, aq më tepër hz. Aliun (k.v.), i cili ka një vend të madh në zemrën e Resulull-llahit (a.s), një përkushtim e kontribut të pashoq në përhapjen e fesë dhe mësimeve të saj, një dashuri të madhe në zemrat tona!

Ndërkohë, është e çuditshme sesi “rafiditët” e mallkojnë Omerin (r.a) për hz. Aliun, kur historia na tregon se Omeri (r.a) është martuar me vajzën Aliut dhe Fatimes, vajzës së Resulull-llahit (a.s), zonjën Ummi Kulthum, prej të cilës ka patur dy fëmijë, Zejdin dhe Rukajen[24]!?

Sidoqoftë, All-llahu ua ndriçoftë mendjen dhe zemrën për t’u kthyer nga rruga e gabuar në të cilën shtegtojnë ditë pas dite!

Në këtë pikë, po mjaftohem me thënien e Ebu Zur’at Raziut, i cili thoshte: “Nëse sheh dikë që pakëson vlerat e sahabëve të Resulull-llahit (a.s), dije se ai është zindik! Kjo, sepse Resulull-llahi (a.s) është hak, edhe Kur’ani hak, edhe ajo çfarë ai na ka mësuar hak. Të gjitha këto na kanë mbërritur nëpërmjet sahabëve, ndërsa ata (pakësuesit e vlerës së sahabëve) deshën të preknin dëshmitarët tanë (sahabët) për të hedhur poshtë Kur’anin dhe Synetit. Në të vërtetë, ata kanë rënë poshtë, ata janë zindikë!”[25]


Sahabet të tân rob     janë yjet e dinit
Cilit don i ujdisesh     ti ja mrrín pështimit

 
                I dërguari i All-llahut ka urdhëruar: “Nderojini sahabët e mi sepse ata janë më të mirët tuaj!”[26] Ndërsa Imam Kurtubiu ka thënë: “Ata krejt janë prijësit tanë!”[27]
               
All-llahu na ruajtë nga devijimi dhe na bëftë prej respektuesve të sahabëve të Resulull-llahit (a.s), yjeve të kësaj feje!



[1] Ky është përkufizimi i Ibn Haxher Askalanit, si në librin: “Faslul-khitab fi mevakifil-ashab”, të Shejkh Muhammed Salih el-Garsi, botimi i parë, Damask, 2006, fq. 15.
[2] Po aty, fq. 19.
[3] Kur’ani, Ali Imran, 110.
[4] Kur’ani, Teube, 100.
[5] Shih: Muhammed Jusuf el-Kandehlevi, “Hajatus-sahabe”, botimi i 6-të, Damask, 1993, vëll. I, fq. 33-34.
[6] Merfu.
[7] Muhammed Jusuf el-Kandehlevi, “Hajatus-sahabe”, botimi i 6-të, Damask, 1993, vëll. I, fq. 34.
[8] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi, nga Ebu Said Khudriu (r.a).
[9] Transmetuar nga Tirmidhiu dhe Ibni Hibbani, nga Abdull-llah ibni Mugaffel (r.a).
[10] Transmetuar nga Imam Shafiiu, sikurse e kam gjetur në librin: “Faslul-khitab fi mevakifil-ashab”, fq. 18.
[11] Transmetuar nga Khatibi në “El-Xhamiu” dhe të ngjashëm me të Ibni Asakiri. “Ka thënë dr. Muhammed Uxhaxh el-Khatib: Lajm i dobët!”- Me përshtatje nga: “Faslul-khitab”, vep. e cit., fq. 18.
[12] Dr. Mani el-Xhuheni, “El-meusuatul-mujesseretu fil-edjani vel-medhahibi vel ahzabil-muasereti”, botimi i tretë, Rijad, 1418, vëll. II, fq. 1069.
[13] Shejkh Muhammed Salih el-Garsi, “Faslul-khitab fi mevakifil-ashab”, vep. e cit., fq. 21.
[14] I transmetuar nga rrugët e Ibni Mes’udit, Thoubanit dhe Ibni Omerit (r.a).
[15] Shejkh Muhammed Salih el-Garsi, “Faslul-khitab fi mevakifil-ashab”, vep. e cit., fq. 22.
[16] Kur’ani, Teube, 40. Ajeti i plotë është: “Nëse ju nuk e ndihmoni atë (Muhammedin a.s.), All-llahu tashmë e ka ndihmuar ditën kur atë e dëbuan mohuesit vetë të dytin, kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit): “Mos u mërzit, se All-llahu është me ne!”...”
[17] Transmetuar nga Ahmedi, Ebu Davudi, Ibni Maxheh etj, nga Ibni Omer (r.a).
[18] Shejkh Muhammed Salih el-Garsi, “Faslul-khitab fi mevakifil-ashab”, vep. e cit., fq. 21.
[19] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.
[20] Transmetuar nga Ibni Maxheh dhe Tirmidhiu.
[21] Transmetuar nga Ahmedi në “Musned”.
[22] Transmetuar nga Ahmedi në “Musned” etj.
[23] Transmetuar nga Bukhariu, Muslimi dhe Ahmedi në “Musned”.
[24] Naxhi dhe Ali Tantavi, “Akhbaru Omer”, botimi i 11- të, Xheddah, 1999, fq. 364.
[25] Shejkh Muhammed Salih el-Garsi, “Faslul-khitab fi mevakifil-ashab”, vep. e cit., fq. 20.
[26] Transmetuar nga Nesaiu me isnad të saktë, si në “Faslul-khitab”, vep. e cit., fq. 22.
[27] Shejkh Muhammed Salih el-Garsi, “Faslul-khitab fi mevakifil-ashab”, vep. e cit., fq. 21.