Kujtime Të Dr. Jusuf Karadavit -
Udhëtimi im në Amerikë (1)
((Kapitulli
20 - vëll. i 3-
të) )
Dr. Jusuf Karadavi
President i Këshillit Evropian për Fetvatë dhe Kërkimet
Udhëtimi im në Amerikë
(1)
1. Delegacioni i Unionit të Studentëve Muslimanë të Amerikës
Nga ngjarjet e vitt 1975, kujtoj vizitën e delegacionit të
Unionit të Studentëve Muslimanë të Amerikës (MSA) në shtetin e
Katarit. Delegacioni përbëhej nga tre prej vëllezërve drejtues
të këtij Unioni, Dr. Et- Tixhani Ebu Gudejri, me prejardhje
sudaneze, Dr. Xhemal Berazenxhi, me prejardhje irakene dhe të
tretin që s'e kujtoj.
Ata vizituan Princin Shejkh Khalife ibn Ahmed... Fjalën e mori
vëllai ynë Xhemal Berzenxhi, fjala e të cilit ishte plot mbarësi.
Ai i përmblodhi Princit në mënyrë perfekte
aktivitetin e tyre, sikurse i paraqiti atij nevojat dhe
kërkesat që prisnin të realizoheshin nga Katari, të cilat
përmblidheshin në kontributin e këtij shteti për ndërtimin e
qendrës së tyre, që dëshironin të ngrinin në vendin e
përzgjedhur prej tyre në Indianapolis. Besoj se Princit iu mbush
zemra nga gëzimi dhe i premtoi atyre më të mirën. Ndërkohë ata
vazhduan takimet e tyre në vendet e tjera të Gadishullit,
ndërkohë që më ngarkuan mua që ta vazhdoj çështjen e tyre me
Princin.
Më pas, ata i dërguan një ftesë Fakultetit, që të merrja pjesë
në kongresin e tyre vjetor, që zhvillohet në muajin maj të çdo
viti. Fakulteti e miratoi udhëtimin tim për në kongres. Shkova
dhe takova Princin, duke i kujtuar atij premtimin e bërë
delegacionit nga Amerika. Ai më firmosi një çëk me një shumë
prej gjysëm milioni dollar për ndërtimin e bibliotekës së
qendrës së tyre, në emër të Princit të Katarit.
2. Dhe udhëtova drejt Amerikës
Në kohën e përcaktuar, u përgatita për udhëtimin tim të parë në
Amerikë, i vetëm pa shoqërues. Udhëtova nga Doha në Kajro dhe
fjeta një natë atje. Atje u zgjova herët në mëngjes për të
udhëtuar drejt Londrës me avionin amerikan TWA, me sa më
kujtohet. Nga aeroporti i Londrës, në orën 12 të mesditës,
fluturuam drejt Nju Jorkut, e pastaj drejt aeroportit të Çikagos,
ku gjeta disa vëllezër në pritjen time. Atje fjeta një natë dhe
u takova me disa vëllezër të nderuar, ku u zhvillua dhe një
takim i këndshëm mendor e shpirtëror. Në ditën e nesërme,
udhëtova drejt selisë së Unionit, ku i dorëzova vëllezërve çekun
që më kishte dhënë Shejkh Khalife, princi i Katarit. Atë e mori
sekretari i përgjithshëm i Unionit të Studentëve Muslimanë,
vëllau i nderuar, Dr. Mahmud Rushdan, i cili ishte një pishtar i
ndezur me gjallëri dhe zell, me besim të sinqertë dhe seriozitet
të prerë, me një kuptueshmëri të aktualitetit, me një largpamësi
për të ardhmen dhe me një dlirësi zemre në mendimin e ngjarjeve.
3. Veprimtaria ime në Amerikë
Unioni e kishte kaluar fazën e foshnjërisë dhe fëmijërisë dhe
kishte filluar fazën e rinisë, që është faza e forcës,
gjallërisë dhe e aktivitetit të vrullshëm, ndërkohë që shoqata,
organizata e organizma të tjerë me vlerën dhe peshën e tyre,
filluan të dilnin prej tij.
Për shembull organizmi i arsimit me në krye vëlla Et- Tixhani
Ebu Gudejri, ose organizmi i vakfit islam, nën kujdesin e vëlla
Xhemal Berzenxhi- t, ose një tjetër organizëm nën drejtimin e
vëlla Dr. Hisham et- Talib, ose Lidhja e Dijetarëve të
Sociologjisë, nën kujdesin e Dr. Ismail el- Faruk, po ashtu edhe
Shoqata Mjekësore Islame, ose Shoqëria e Ulemave dhe
Inxhinierëve.
Kështu, vëllezërit më treguan organizmat dhe filialet e
veprimtarisë së tyre, gjë që ma shtoi kënaqësinë dhe qetësinë
rreth mbarësisë së hapave të tyre dhe pjekurisë së veprimtarisë
së tyre.
Në selinë e Unionit qëndruam dy ditë, pastaj udhëtuam drejt
qytetit Bolmanto, ku zhvillohej edhe kongresi, qytet ku banonte
edhe vëlla Mani' el- Xhuheni, prej studentëve arabo- saudit.
Vëllezërit, zakonisht merrnin me qera për disa ditë, banesat e
njërit prej qyteteve të studentëve, gjatë pushimeve, për të
përfituar nga dhomat e banesës, nga restorantet, nga sallat dhe
korridoret e tyre.
Ato ditë ishin të mbushura me një veprimtari të dendur mendore,
shpirtërore, sportive dhe sociale. Çdo kongres sillej rreth një
boshti të caktuar rreth së cilit kumtoheshin referate të
ndryshme, që pasoheshin nga pyetje dhe debate, sikurse kishte
edhe referate të përgjithshme për të gjithë. Po ashtu kishte
edhe takime cilësore të veçanta, si takimi me gratë apo me
specialistët e fushave të ndryshme. Përqëndrimi tek unë ishte i
madh, kështu merrja pjesë në takimet e përgjithshme dhe në ato
të veçanta, sidomos me motrat, me të cilat zhvillonim edhe
takime të veçanta për t'u përgjigjur rreth pyetjeve juridike (fikhijje)
dhe ato të thirrjes islame (daavijje), sikurse kisha edhe vasa
të shkurtra pas namazeve, sidomos pas atij të sabahut.
Dhe duke parë ndryshimin e madh të ores nga Amerika në Doha (kryeqytet
i Katarit), dita ime u bë natë e nata ime u kthye në ditë, po
ashtu ndryshimi i llojshmërisë së ushqimit, me të cilin isha
mësuar në Katar, sikurse edhe zënia ime me aktivitet, bënë që të
harroj veten deri aty sa të kalonin mbi 48 orë pa hyrë në tualet,
gjë që më shkaktoi shqetësim të madh dhe dhimbje të padurueshme
që patën për rezultat një lloj majaselli prej të cilit ankova
disa vite me radhë dhe prej të cilit nuk u shërova vetëm se me
anën e një ndërhyrjeje kirurgjikale, bërë në spitalin "Er-
Remile" në Doha, nga Dr. en- Nexhxhar, pedagog i kirurgjisë në
Fak. e Mjekësisë në Ez'her. Ai ishte një mjek i ftuar nga vetë
spitali për të kryer disa operacione të rëndësishme. Ishte
specialist i vërtetë në kirurgji, veçanërisht në operacionin tim,
Zoti (xh.sh) e shpërbleftë me të mira!
Pa harruar se vëllezërit në kongres, më sollën një nga mjekët e
pranishëm aty, që falë Zotit ishin të shumtë, i cili më dha
këshillat e tija të dobishme për lehtësimin e gjendjes në të
cilën isha…
Përktheu nga arabishtja[1]
dhe përshtati në shqip
Muhamed SYTARI
[1]Ky material është marrë nga Interneti:
http://islamonline.net/arabic/Karadawy/part3/2004/article08.shtml#1-