Islami dhe Toleranca Fetare (2)
(“Ai që keqtrajton një jomysliman ose e mbingarkon atë, do të jetë kundërshtari im”)
Shejkh Ahmed
Keftaro (1912 - 2004)
(Referat i mbajtur nga
Hirësia e Tij, kryemyftiu i Sirisë,
në Universitetin e Milanos, Itali,
dhjetor, 1985)
Duke ditur se All-llahu, është Zot i gjithçkaje, është i vetmi
Gjykatës i Ditës së gjykimit, myslimanët inkurajohen t’u afrohen
gjitha këtyre diskutimeve në mirësi.
“Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur
dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë Zoti yt
i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij, e di
më së miri ata, që janë në rrugë të drejtë” - (16/125).
Madje edhe kur kemi të bëjmë me njerëz që mund të jenë armiq me
ta dhe besimin e tyre, myslimanët inkurajohen të marrin rrugën e
paqes, mirësisë dhe bashkimit, t’u përgjigjen me durim dhe
dashamirësi. All-llahu udhëzon besimtarët: “Nuk barazohet e mira
me të keqen! Të keqen ktheje në të mirë e atëherë armiku yt do
të bëhet menjëherë mik i ngushtë.” - (41/34).
Një ekzaminim i përciptë i historisë së hershme islame zbulon
shumë shembuj të shquar të tolerancës islame. Unë do të pëlqeja
të prezantoja këtu pak prej tyre, meqë ato përcaktojnë modele
udhëzuese për harmoninë ndërfetare dhe ndihmojnë për të
përgënjeshtruar (hedhur poshtë) keqkuptimet e zakonshme ndaj
Islamit si intolerant, siç pretendojnë një grup ekstremistësh.
Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të), gjatë jetës së tij si
udhëheqës fetar dhe burrë shteti tregoi ndjeshmëri dhe respekt
në trajtimin e “Njerëzve të Librit“, hebrenjve dhe kristianëve.
Në shpirtin e vërtetë të revelatës hyjnore, Kur’ani i Shenjtë, i
cili iu shpall profetit Muhammed, ndaloi dëmtimin e
jomyslimanëve dhe u kërkoi myslimanëve t’i trajtonin ata mirë.
Njëherë ai tha: “Ai që i bën keq një hebreu apo kristiani, do të
më këtë mua kundërshtarin e tij në Ditën e Gjykimit”.
Gjëja e parë që profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të) bëri pasi
u vendos në Medine ku ai ishte ftuar si udhëheqës, qe përfundimi
i një traktati në mes të myslimanëve dhe pasuesve të Librit (hebrenj
dhe kristianë) të atij qyteti. Sipas këtij pakti, myslimanët u
garantonin atyre lirinë e besimit dhe u jepnin të njëjtat të
drejta dhe detyra si ato të myslimanëve.
Kur një delegacion kristian i Abisinisë erdhi në Medine, profeti
Muhammed (paqja qoftë mbi të) i ftoi në xhami dhe u kujdes
personalisht për ta. Kur po u shërbente ushqimin, ai tha se ata
kishin qenë shumë bujarë dhe të nderuar ndaj shokëve të tij, të
cilët kishin emigruar më herët në Abisini, saqë ai tani donte
t’i nderonte vetë ata.
Kur një delegacion kristian nga Nexhrani erdhi në Medine, një
qytet në jugperëndim të Arabisë, profeti i mori ata në xhaminë e
tij dhe i ftoi të kryenin lutjet e tyre brenda saj. Myslimanët
me profetin faleshin nga njëra anë e xhamisë dhe kristianët nga
ana tjetër. Gjatë vizitës së tyre, profeti diskutoi me ta shumë
çështje në mënyrë të sjellshme.
Pasardhësit e Profetit vazhduan politikën e tij
kur’anore të tolerancës fetare
Kur Omer Ibn Al-Khatabi, kalifi i dytë, çliroi Jerusalemin nga
pushtimi bizantin romak, ra dakord me kushtet e kërkuara nga
banorët kristianë, rastisi që Omeri ishte në kishën më të madhe
kristiane të Jerusalemit në kohën e faljes së pasdites. Omeri
refuzoi të kryente faljen e tij në kishë, nga frika se kjo mund
t’u jepte shkak brezave të ardhshëm myslimanë të konfiskonin
kishën dhe ta kthenin atë në xhami.
Një grua kopte, e sektit kristian në Egjipt, erdhi tek Omeri të
ankohej sepse guvernatori Amr Ibn Al-As i kishte marrë shtëpinë
për t’ia shtuar truallit të një xhamie që po ndërtohej. Omeri e
verifikoi problemin dhe mësoi se myslimanët ishin shtuar në
numër dhe kishin nevojë për të zgjeruar xhaminë. Amri i
shpjegoi se ai i kishte ofruar gruas kopte një shumë të madhe
lekësh, por ajo i kishte refuzuar. Amri i la lekët në fondin e
saj për t’i marrë kurdoherë që asaj i nevojiteshin. Megjithëse
shumë ligje moderne e lejojnë një procedurë të tillë, Omeri nuk
e pranoi sipas parimeve islame. Ai i urdhëroi myslimanët të
ndalonin zgjerimin e xhamisë dhe t’i rindërtonin shtëpinë gruas
kopte ashtu siç kishte qenë më parë.
“Xhizja”, një taksë e mbledhur nga jomyslimanët në tarifat
islame si shpërblim për mbrojtjen ushtarake dhe përfitimet e
tjera të siguruara nga shteti, ka qenë gjithashtu objekt i
keqkuptimit. Kur myslimanët e zbuluan se ata ishin tërhequr nga
qyteti Homs (Siri) dhe nuk mund t’i mbronin më njerëzit atje
ashtu siç i kishin premtuar, ata ua kthyen atyre “xhizjen”.
Një ditë Omer Ibnul-Khatab shikoi një plak duke lypur në rrugë.
Omeri e pyeti se kush ishte dhe ai tha se ishte hebre. Ai e mori
plakun në shtëpinë e tij, i dha ushqim dhe para dhe e dërgoi në
Thesarin e shtetit mysliman. Drejtuesve të Thesarit, Omeri u tha:
“Jepini këtij njeriu nga paratë e myslimanëve. A është e drejtë
t’i merrni “xhizje” këtij njeriu tamam si një të riu dhe ta
neglizhoni si plak? Kjo nuk është e mundur në Islam!”.
Zyrat në shtetet islame iu dhanë atyre që ishin më të
kualifikuarit, pavarësisht besimeve ose mjediseve të tyre. P.sh:
Ibn Athal, një mjek kristian, ishte doktori privat i kalifit
Muavije, themeluesit të shtetit Umajad. Një tjetër kalif umajad,
Abdul-Malik Ibn Marvan, emëroi dy të krishterë Athnasius dhe
Isaak në postet e larta të shtetit të Egjiptit. Adud Al-Dawla
një kalif Abasit, e bëri kristianin Nasr Ibn Harun,
kryeministrin e tij, duke i dhënë autoritetin për të sunduar mbi
Irak dhe Persinë Jugore.
Kështu, Islami u garantoi jomyslimanëve të drejtat e plota me
myslimanët në jetën e tyre, lirinë e tyre dhe posedimet e tyre.
Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të) thoshte: “Ai që keqtrajton
një jomysliman ose e mbingarkon atë, do të jetë kundërshtari im”.
Islami i lejoi jomyslimanët të jetonin në tokat islame me
respekt dhe nder. Ai nuk iu imponoi veçim, përkundrazi i lejoi
jomyslimanët të merrnin pjesë barabar në shoqërinë myslimane, të
merrnin pjesë në aktivitetet në mes myslimanëve sipas udhëzimit
të All-llahut në Kuran: “Sot iu janë lejuar gjërat e mira e të
pastra. Ju janë lejuar edhe ushqimet e ithtarëve të Librit; po
ashtu, edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ata. Të lejuara
për ju (për martesë) janë femrat e ndershme, besimtare dhe
femrat e ndershme të atyre që u është dhënë Libri para jush”.
(5/5).
Shpresë për të ardhmen
Ditët në të cilat njerëzimi mund të pranojë thjesht injorancën
dhe imitimin e verbër kanë ikur përgjithmonë! Tani është koha e
dijes, dritës dhe së vërtetës: kohë kur njerëzimi do të pranojë
vetëm atë që përputhet me arsyen, logjikën dhe informacionin
shkencor. Njerëzimi ka arritur shumë në përparimin e shkencës
dhe luksit material, duke shkuar shumë larg ëndrrave të njerëzve
të shekujve të kaluar. Pavarësisht nga kjo, njerëzimi tani
kërcënohet nga shkatërrimi, nga rreziqet në të dy anët:
shpirtëror dhe fizik. Kohët e fundit problemet e civilizimit
modern burojnë nga shpërfillja e All-llahut dhe drejtimit
shpirtëror të cilat Ai me mëshirë i ka shpërndarë tek të gjithë.
All-llahu dërgoi të dërguarit e Tij, profetët e Tij, gjatë
gjithë epokave si dhuratë nga vetë Ai, për të udhëhequr
njerëzimin drejt lumturisë dhe suksesit të vërtetë. Në Kur’anin
e Shenjtë All-llahu i thotë profetit Muhammed: “Dhe ne nuk të
kemi dërguar ty, veçse si mëshirë për botët”. (21/107).
Mesazhet hyjnore të All-llahut gjatë gjithë epokave i kanë
këshilluar njerëzit të jetojnë si një familje njerëzore me
dashuri dhe tolerancë. Një mënyrë e tillë jetese është e vetmja
rrugë për njerëzimin për të qenë të sigurt dhe për të gëzuar
mirësinë e All-llahut dhe frytet e përparimit modern. Sikur
njerëzimi të kishte marrë me gjithë zemër thelbin e revelatave
hyjnore, ai nuk do të kishte vuajtur kaq shumë gjatë skëterrës
së dy Luftërave Botërore dhe nuk do të jetonte një jetë me frikë
nga shkatërrimi bërthamor dhe ai i mjedisit.
Burra e gra besimtarë duhet të zgjohen, t’i hapin sytë dhe të
fillojnë dhe të shohin njëri-tjetrin përmes lenteve që i
tregojnë gjërat më afër dhe jo me ato që i bëjnë gjërat të
shihen më larg. Paqja e vërtetë mund të arrihet vetëm n.q.s ne
bashkohemi nën flamurin e All-llahut dhe të Dërguarve të Tij, të
bashkohemi në një vëllazëri dhe bashkëpunim shpirtëror, që të
ndërtojmë një besim racional për brezat e tanishëm dhe të
ardhshëm. Sikur ne të gjenim kurajën për ta bërë këtë,
qeniet njerëzore do të jetonin në një parajsë botërore deri sa
të shkonin në parajsën e përjetshme në Botën tjetër.
Është koha që kombet të bashkëpunojnë me dashuri dhe bujari, dhe
të bashkohemi së bashku në adhurimin e një Zoti, Krijuesit të
Vetëm të këtij universi, më Mirënjohësit, të gjithë Mëshirshmit.
Duke bërë kështu, ne së fundi do të rijetonim e kuptonim
mësimet e profetëve dhe apostujve të së kaluarës në mënyrë të
pajtueshme me realitet e qytetërimit modern, duke bashkëpunuar
për gjëra që ne jemi dakord dhe duke debatuar vëllazërisht rreth
gjërave që ne nuk biem dakord.
Na drejtoftë Zoti nga e mira, për kërkimin e së vërtetës pa
ndonjë paragjykim ose ambicie, me shpirtin e dashurisë,
tolerancës e vëllazërisë.
Të gjithë falënderimet dhe lavdërimet qofshin për Zotin,
Krijuesin e të gjithë universit.Paqja qoftë mbi të gjithë ju.
Përktheu nga anglishtja:
Shpresa Bushati