ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

I lumi ti, Sidi Ahmed…

(Letёr pas leximit tё njё lajmi tё papritur...

I dashur Sidi Ahmed,
           
Sonte, krejt papritur, duke shfletuar nё internet, lexova njё lajm befasues. Aq sa akoma vazhdoj t’i jap njё refresh faqes qё kam para duarve, se ndoshta nuk ёshtё e vёrtetё ajo qё sytё e mi lexojnё, pёrbri fotos tёnde me fytyrёn e qeshur...
“Shejkh Ahmed Hexhina ndёrron jetё me kokёn nё sexhde nё Haremin e Mekkёs” shkruhet nё lajmin e parё tё kёsaj faqeje zyrtare libiane...

Ndjesia e parё qё mё rrethon teksa lexoj kёtё lajm ёshtё befasia e shoqёruar me njё dhembje tё natyrshme, qё tё mbulon nё rastin kur krejt papritur ndahesh nga njё mik i shtrenjtё e njё vёlla i dashur... E, pёrballё kёsaj dhembje, dorёzimi para fund-kaderit tёnd ёshtё i pashmangshёm. “Tё All-llahut jemi e tek Ai do tё kthehemi”! Ёshtё njё mёnyrё vetёngushёllimi, duke u lutur pёr durim e forcё, pas kёsaj humbje, qё mё beso, mё ka dobёsuar e mё ka lёnё pa fjalё...
           
Aty shkruhet: “Njё nga dijetarёt e fesё islame nё Libi, Shejkh Ahmed Omer Hexhina el- Mexhberi, ndёrroi jetё nё Haremin e Mekkёs, pas njё ataku kardiak... Burime tё sigurisё saudite tё pranishme nё vend, sqarojnё se Hexhina kaloi nё mёshirё tё All-llahut, ditёn e martё, mё 2 nёntor 2010, teksa lutej me kokёn nё sexhde...”- Ah, i lumi ti, Sidi Ahmed, pёr kёtё fund tё mrekullueshёm, me kokёn nё sexhde, nё shtёpinё e All-llahut, pak ditё para haxhit... Sihariq pёr ty dёshmia e Resulull-llahit (a.s): “Kush niset pёr nё haxh ose nё umre dhe vdes nё rrugё, do t’ia shkruajё All-llahu shpёrblimin e haxhit e tё umres deri nё ditёn e kijametit”... I lumi ti..!
           
Shkruajnё, se “Hexhina ishte ngarkuar nga organizmi i Vakufit dhe i Çёshtjeve tё Zekatit, nё Libi, si vaiz shoqёrues i grupit libian tё haxhilerёve tё kёtij viti”- I lumi ti, pёr detyrёn fisnike qё more mbi supe! Sa humbje e madhe pёr haxhilerёt libianё tё kёtij viti..!
           
Shkruajnё, se ke shkruar disa libra. Realisht jam i bindur se ke shkruar me atё objektivizёm dhe atё saktёsi shkencore, me tё cilёn je karakterizuar edhe gjatё viteve tё studimit nё Damask. Ah, ato vite, Sidi Ahmed... Ato vite, kur sё bashku shkonim nё derset e hoxhallarёve tё mёdhenj tё kohёs, si: Hoxha i jonё Shejkh Ahmed Keftaro, ku tefsiri i Kur’anit ishte hise e pёrjavshme, te doktor Butti qё aq shumё na tёrhiqte me stilin e tij karakteristik, me tё cilin i trajtonte çёshtjet, te Shejkh Nabulsi dhe vaset e pёrziera me argumente shkencore pafund... Ah, ato vite... Ah, ato kujtime...
           
I dashur Sidi Ahmed,
           
Pёr diçka mё vjen mirё, ndonёse mё ka kapluar njё ndjenjё humbje e madhe, mё beso! Mё vjen mirё pёr fundin tёnd “husnul-khatime”. Ishte tamam ashtu, sikur shpesh e kёrkoje nё bisedat e ndryshme, nё mexhliset tona nё dhomat e konviktit, me gotёn e çajit para, me tesbihёt nё dorё e librat e hapur pёrreth nesh... I lumi ti, Sidi Ahmed!
           
Megjithatё, teksa lexoj lajmin e ndarjes tёnde, ndjej se diçka mё ka ngelur peng. Shpesh thoje se kur tё ishim kthyer nё vendet tona, do ta ftonim njёri-tjetrin pёr tё vizituar vendet pёrkatёse, pёr t’u falur nё xhamitё e mbushura me besimtarё, pёr tё mbajtur derse nё xhamitё respektive etj. Mё vjen keq, miku im, qё nuk na u realizua kjo dёshirё e pastёr, e sinqertё... Mё vjen keq!
           
E di, kur mora tё lutem pёr ty, pёr shpirtin tёnd.., iu drejtova All-llahut, meqё nuk na u mundёsua tё ritakoheshim pas studimeve, ta ruante tё pastёr miqёsinё dhe vёllazёrinё tonё dhe tё na bashkonte nё xhennetet e Tij, bashkё me Resulull-llahin alejhis-selam dhe Hoxhallarёt tanё...
           
U luta, me zemёr tё thyer, u luta pёr ty, miku im... Mё beso, se nga ky moment do tё jem mё i mangёt nё kёtё botё, sepse edhe ti u largove drejt tё Dashurve dhe Vendeve tё Tyre... Kalove para nesh drejt Tyre... I lumi ti, Sidi Ahmed!
           
Besoj, Sidi Ahmed, se ato vite qё kaluam sё bashku, si vёllezёr tё sinqertё e tё lidhur pastёrtisht pas mёsimeve tё fesё sonё dhe misionit tё saj, do tё jenё dёshmitarёt mё tё mirё tё kёsaj vёllazёrie tё shenjtё e tё shtrenjtё, qё u lidh nё tokё e qё vetёm nё qiell mund tё ketё vend pёr tё...
           
Jam krenar pёr miqёsinё dhe vёllazёrinё tonё, Sidi Ahmed! Jam i lumtur qё All-llahu mё bashkoi me njerёz tё sinqertё, kёrkues tё etur tё diturive, dashurisht tё lidhur pas njerёzve tё ditur e mexhliseve tё tyre, ashtu si ishe edhe ti, miku im i shtrenjtё Ahmed!
           
“Shejkh Ahmed Hexhina ndёrron jetё me kokёn nё sexhde nё Haremin e Mekkёs”! Tashmё, sa herё do tё shoh me mall nga Haremi i Mekkёs, me siguri, aty do tё shfaqet edhe imazhi yt, me kokёn nё sexhde, me lotёt e lutjes qё tё shoqёrojnё drejt pёlqimit tё Zotit Mёshirues...           

I lumi ti, Sidi Ahmed! Nё mёshirё tё All-llahut shpirti yt!

 


Vёllai yt,
Muhamed Sytari
Shkodёr, mё 13 nёntor 2010