Hazreti
Muhammedi (a.s) - njeriu profet
(...Ai rregulloi dhe perfeksionoi sistemin e martesës, divorcit, marrëdhënieve farefisnore, ushqimin...)
Shkurt, 2011
Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Në këto rreshta, do të ndalem në disa
elemente të rëndësishme që duhet t’i
prijnë leximit tonë të jetës së hazreti
Muhammedit (a.s) si i dërguar mëshirë
për gjithësinë.
Po të lexojmë me vëmendje ajetin e
fundit të sures Kehf, do të vërejmë një
përkufizim interesant dhe vendimtar për
profetin tonë (a.s): “Thuaj: “Unë jam
vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më
shpallet se vetëm një Zot është Zoti
juaj, e kush është që e shpreson takimin
e Zotit të vet, le të bëjë vepër të mirë,
e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos
e përziejë askë”. Ajeti i lartpërmendur
bën një përkufizim preçiz : njeri-profet,
të cilit i shpallet revelatë hyjnore.
Kjo revelatë e pastër hyjnore, ndonëse
ka një rol shumë të rëndësishëm dhe
vendimtar në jetën 23 vjeçare të hz.
Muhammedit (a.s), nuk e bllokoi as e
ngurtësoi asnjëherë mendimin e lirë të
njeriut-profet! Hadithe dhe ngjarje të
ndryshme e vërtetojnë këtë. Në një prej
tyre, ai i drejtohet sahabëve të tij
duke iu thënë: “Ju jeni më të ditur në
çështjet e jetës tuaj!”, duke lënë të
kuptohet liria e mendimit dhe arsyetimit
njerëzor në Islam.
Meqenëse Muhammedi (a.s) jetoi në një
shoqëri me zakone dhe tradita të
përziera edhe me lemenetë idhujtarie, me
shpalljen e revelatës hyjnore, ai nuk u
nda nga disa mendësi të shëndosha që e
rrethonin këtë shoqëri. Me ndihmën e
revelatës dhe njohjes së mirëfilltë të
këtyre mendësive ai arriti të bënte një
“revolucion” të paparë historik në
shoqërinë e gadishullit arabik dhe
përtej tij.
Më lejoni të ndalem në disa pika për të
sqaruar fjalët e mësipërme:
1. Muhammedi (a.s) dhe zakonet e
traditat në shoqërisë së tij.
Meqenëse Muhammedi (a.s) u përzgjodh për
të qenë i dërguari i fundit i Zotit të
botërave, ai mbeti njeri me integritet
të plotë në personalitetin e tij.
Zakonet dhe traditat që ekzistonin në
popullin e tij kaluan shumë shpejt në
sitën e mendjes dhe arsyetimit të tij;
të dobishmet i përqafoi dhe i konfirmoi
dhe të kundërtën e tyre e kundërshtoi
dhe e përmirësoi a ndryshoi nëpërmjet
shembullit personal. Ai rregulloi dhe
perfeksionoi sistemin e martesës,
divorcit, marrëdhënieve farefisnore,
ushqimin dhe pijen etj, nëpërmjet
ajeteve kur’anore dhe shembullit të tij
vetiak.
2. Muhammedi (a.s) dhe idhujt.
Në mënyrë kategorike ai mohoi idhujt dhe
adhurimin e tyre, duke ftuar në mënyrë
të prerë dhe pa asnjë ekuivok në besimin
dhe nënshtrimin para Një Zoti të Vetëm,
i udhëzuar nga ajetet e teuhidit, që
janë të shumta në Kur’an.
Asnjëherë, në asnjë moment të jetës së
tij nuk iu përul asnjë idhulli. Ai ishte
ende fëmijë, kur murgu Bahira e pyeti (ndoshta
edhe me një tendencë provokuese): “Pashë
Latin dhe Uzzanë, po të pyes, m’u
përgjigj”. Ai u ngrit i zemëruar dhe ia
ktheu: “Pash All-llahun mos më pyet në
emër të tyre, pasi nuk kam urryer gjë si
ata!”[1]
3. Muhammedi (a.s) dhe gruaja.
Njeriu profet, kundërshtoi me të madhe
dhunën ndaj grave në shoqërinë e tij,
poshtërimin dhe nënçmimin e tyre. Të
drejtat që ato fituan nën hijen e
mësimeve të tij janë një temë më vete,
në të cilën nuk do të ndalem me hollësi
në këto rreshta, ndonëse lexuesi i
kulturuar ka plot çfarë të kujtojë në
lidhje me këtë temë.
Edhe sot e kësaj dite, mbarë bota
përkujton fjalën e tij të artë, ku thotë:
“Ai që e ka një fëmijë vajzë, që nuk e
groposë të gjallë, që nuk e nënçmon dhe
që nuk e nënvleftëson para djalit të tij,
do ta shtijë All-llahu në xhennet”[2].
4. Muhammedi (a.s) dhe
analfabetizmi.
Njeriu profet mohi dhe refuzoi
analfabetizmin, pasi asnjëherë nuk është
bashkuar drita e mendjes me errësirën e
injorancës. Si jo, kur fjala e parë
hyjnore që i zbriti ishte leximi dhe
zënia e dijes!? Si jo, kur në Kur’anin
që i zbriste Muhammedit (a.s), Zoti i
gjithësisë betohet për lapsin, hoken e
bojës dhe për atë që shkruhet etj.
Lëvizja e parë kundër analfabetizmit e
ndërrmarrë nga njeriu profet, është
këmbimi i robëve të luftës në Bedër, me
mësimin e tyre të shkrim-këndimit të
dhjetë muslimanëve.
Është e përhapur në masën e lexuesve të
kulturuar të historisë islame qortimi që
ai i bën të diturve që nuk i mësojnë
komshitë e tyre, si dhe i komshive që
nuk mësojnë nga komshitë e tyre të ditur.
5. Muhammedi (a.s) dhe nderi i
fjalës.
Njeriu profet, kundërshtoi me të madhe
çnderimin e fjalës në gojë të poetëve të
kohës. Këtë e konfirmon edhe Kur’ani që
urdhëron: “E për sa u përket poetëve (që
Muhammedi nuk është i tillë), ata i
ndjekin të humburit (nga e vërteta). A
nuk sheh se ata hidhen në çdo anë (sa
lavdërojnë, sa përqeshin)”[3]
Ndërkohë, poezinë serioze, që mbron të
vërtetën dhe prodhon vlerë, ai e
mbështeti dhe e bekoi në shumë momente
të jetës së tij, gjë për të cilën
dëshmon historia dhe librat e hadithit.
6. Muhammedi (a.s) dhe mburrja
farefisnore.
Njeriu profet e mohoi dhe e kundërshtoi
në mënyrë kategorike mburrjen
farefisnore. Para tij nuk kishte shtëpi
të mëdha, por individë të shëndoshë dhe
njerëz prodhimtarë.
Nga Ebu Hurejra transetohet, se i
dërguari mëshirë tha: “All-llahu do të
thotë në ditën e kijametit: Unë ju
dhashë farefis dhe ju prodhuat farefis.
Unë e bëra më të dashurin për mua më të
devotshimn ndër ju. Ndërsa ju refuzuat,
thatë: filani i biri i filanit (duke u
mburrur me farefis e emra të mëdhenj)
Sot, Unë po lartësoj “farefisin” Tim dhe
po poshtëroj farefisin tuaj. Ku janë të
devotshmit… Ku janë të devotshmit…”[4]
7. Muhammedi (a.s) dhe pijet
dehëse.
Njeriu profet luftoi dhe ndaloi
përfundimisht konsumimin e pijeve dehëse.
Asnjëherë nuk vuri në buzën e tij prej
tyre. Përfundimisht në një përshkallëzim
prej tre etapash, u komunikoi njerëzve
revelatën hyjnore që ndalon
kategorikisht pijet dehëse.
Ai njëkohësisht tha: “Largohuni nga
alkooli! Ai është çelës i çdo të keqeje!”[5]
Jeta e njeriut profet është e mbushur me
momente të shumta, ku ai gëzon dhe
dëfren me familjen, luan dhe argëtohet
me nipat, gatuan, pastron, shëtit me të
shoqen, garon me të duke vrapuar, bën
shaka të hollë me njerëzit në momente të
caktuara, kërkon furçën e dhëmbëve në
momentet e fundit të jetës etj.
Si të thuash, jeton një jetë njerëzore
normale, ndonëse ishte profet i
përzgjedhur që mbeti shembulltyrë e
pakrahasueshme për njerëzinë, deri në
ditën e fundit.
[1] Prof. dr. Muhammed Revvas
Kalahxhi, “Studim analitik i
personalitetit të dërguarit Muhammed”,
në gjuhën arabe, botimi i parë, Bejrut,
1998, fq. 40.
[2] Ebu Davud.
[3] Shuara,
224-225.
[4] Nga tefsiri
i Kurtubiut, 16/345.
[5] Hakimi në “Mustedrek”
dhe Bejhakiu në “Shuabul-iman”, nga Ibni
Abbasi (r.a).