Në mëshirën e All-llahut, plaku i urtë H. Ali Hysen Duli!

(Shkodër, më 26 tetor 2008)  

   Sot paradite mësova për lajmin e ndarjes nga kjo jetë, dy ditë më parë, të H. Ali Hysen Dulit, njërit prej hoxhallarëve të vjetër të Anës së Malit, talebe i devotshëm i Haxhi Muhamed Bekteshit dhe i shumë prej hoxhallarëve të nderuar të Shkodrës, si: H. Esat Myftija, H. Sabri Bushati etj.

   Në lidhje me thyerjen e gjunjve të tij para duarve të hoxhallarëve të shquar të Shkodrës, Haxhi Muhamed Bekteshit në veçanti, H. Musa Hoxha, bashkëmoshatar e bashkëkohës i tij, rëfen: "Te Haxhi Muhamed Bekteshi ishim 30 vetë. Na thoshte se deri më sot kishte nxjerrë tri palë talebe. Ndër shokët e rrethit tim, kujtoj të kenë qenë: Hafiz Sabri Koçi, Halit Mertoshi, Ali Hysejni, Sulejman Kraja, Qamil Tresi, Yzejr Shabani (Tetovë), Hamdi Shqarri, Zenel Muhja (Vukatanë), Haki Halili (Vrakë), Sait Karamuça (Elbasan), H. Ali Shosha (Vorfë), Selim Shabtafa (Muçaj, Ana e Malit- Ulqin), Hafiz Netashi (Kosovë), Hafiz Shabani që shkoi në Bullgari, etj."[1]

   Në kujtimet e tij, Hafiz Musaja i moshuar dëshmon gjithashtu se: “Shumë herë, sëbashku me Ali Hysin, e kemi fshirë dhe e kemi pastruar xhaminë e Parrucës.

   Meqenëse ishim shumë fukara, s'kishim as bukë për të ngrënë, njerëzit na jepnin e na ndihmonin. Na jepnin shkodranët, beglerët, Mukajt, Bushatlitë, Tepelitë…

   Pas katër viteve ders, u afruam te akaidi dhe marrja e ixhazetit. Sa iu afruam ixhazetit, erdh partia dhe na mbet diploma në gjysëm…

   Shumë herë me Hafiz Xhemën, Hafiz Gogolin dhe me Hafiz Xheudet Zylen, kemi këndu mukabele e hivz Kur'ani.[2]

   Ndonëse në  një moshë të thyer, H. Ali Hysejn Duli, asnjëherë nuk u nda nga shërbimet fetare, kërkimi i dijes dhe thirrja me urtësi e dije në rrugën e All-llahut.

   Ndër kujtimet e mija që më lidhin me Zotërinë e tij, është edhe një vizitë që i bëra më 21.4.2007, në shtëpinë e tij, në fshatin Oblikë, ku më bëri përshtypje qëndrimi i tij në verandën e shtëpisë, me fesin e bardhë në kokë, në qetësinë karakteristike të moshës. Urdhëroi t’i sillnin “fesin e mirë”, të cilin e vendosi në shenjë nderimi për miqtë e ardhur nga Shkodra…

   Në atë vizitë, përveç disa njohurive rreth jetës së tij (si prejardhja nga Kraja etj.), të cilat nuk hezitova t’i shënoj në fletoren e shënimeve të mia, ai, nuk e refuzoi kërkesën time, për të më shkruar me dorën e tij diçka nga Kur’ani Famëlartë. Pas besmelesë, me dorën që i dridhej nga pesha e viteve të shumta që mbante mbi supe, rreshtoi suren “Ihlas”, “Kul huvell-llahu ehad...” dhe emrin e tij: “Ali Hysen Duli”. I kam të shtrenjta ato shënime, me dorën e hoxhës së moshuar anamalas!

   Padyshim sot, kur i shoh ato harfe të ndritura të Librit në fletoren time, kujtoj ato momente dhe sjell parasysh imazhin e hoxhës plak, me dhimbje konstatoj se Shkodrës, tashmë, i mungon edhe një hoxhë i vjetër, i cili mbante me vete në zemrën e tij sirre e bereqete kohërash e njerëzish të përkushtuar e të ditur, siç ishte edhe vetë!

   Me 14.12.2007, ditën e xhuma, u fala në xhaminë e fshatit Oblikë. Pas hytbes së mbajtur aty dhe namazit të xhumasë, sëbashku me H. Musa Hoxhën (imamin e moshuar e të përkushtuar të kësaj xhamie) dhe H. Ali Hysin zhvilluam një bisedë të përzemërt, në qendër të së cilës ishte nostalgjia e hoxhallarëve të shkuar të Shkodrës, mësuesve të tyre të paharruar. Ndër kujtimet e H. Ali Hysit, ishin edhe fjalët e tij për hoxhën e njërit prej hoxhallarëve të tij: “Ndonëse kam qenë i ri, e kam njohur edhe Hafiz Jusuf Këlmendin, sepse ato ditë këndoja ders te talebja i tij, H. Muhamed Kastrati, i cili më çonte shpesh te hoxha i moshuar për t’i bërë hyzmet. E kujtoj si tani. Hoxha kishte mbetur vetëm. I kishte vdekur gruaja dhe nuk kishte fëmijë. E mbaj mend një burrë me trup më shumë se mesatar, me mjekër jo fort të gjatë...”, kujtime që na lidhnin me kohën e myderrizit të shquar Hafiz Jusuf Këlmendi.

   Më 08.02.2008, ditën e xuma, ishte takimi ynë i fundit në këtë botë. Atë ditë, H. Ali Duli, kishte ardhur për të falur namazin e xhumasë në xhaminë e Tophanës. Për mua, ishte një gëzim i pamohueshëm, sepse i dua njerëzit e dijes, të moshuarit, ata që mbajnë mbi supe momente sakrificash e përkushtimi në rrugën e Thirrjes Islame!

   Pasi u përqafuam, i mora leje për të vazhduar me ceremoninë fetare të asaj dite. (Kuptohet, për moshën që kishte, ai ishte i pamundur për të mbajtur hytben dhe për të drejtuar namazin i xhumasë).

   Atë ditë, hoxha i moshuar kishte një shqetësim, të cilin e kam parasysh, si tani. Donte ta ndante me mua. Kishte ardhur për këtë qëllim! Disa të rinj muslimanë në zonën e tij, nuk i shqiptonin si duhet disa lutje të namazit dhe ai ishte i shqetësuar për këtë. Donte ta rregullonte gabimin e tyre. Ishte shumë i shqetësuar..! Disa herë përsëriste lutjet e namazit dhe shqiptonte gjithashtu edhe gabimin e tyre dhe më thoshte: “Si thu, a e kanë gabim?” Dhe, teksa shikoja interesimin e tij të madh për dijen dhe saktësinë e saj, buzëqeshja dhe ia ktheja: “Si urdhnon efendi, gabim e kanë”!

   Sot paradite mësova për lajmin e ndarjes nga kjo jetë e H. Ali Hysen Dulit, njërit prej hoxhallarëve të vjetër të Anës së Malit...

   Në mëshirën e All-llahut, plaku i urtë dhe i ditur anamalas, H. Ali Hysen Duli!

 

Muhamed Sytari



[1] Muhamed Sytari, “Hafiz Musa Hoxha- vaizi besnik i qitabeve të vjetra”, studim i botuar në “TAKVIM”, 37, Prishtinë, 2007, fq. 271.

[2] Muhamed Sytari, vep. e cit., fq. 265.

H.Ali Hyseni

14.12.2007- e xhuma, Oblike

12.04.2007, mevludi-Parruce