Muhamed Sytari
thirrës islam
Elita e dijetarëve muslimanë shqiptarë dhe sprova e burgjeve
komuniste
16 nëntori i vitit 1990, shënoi rihapjen e Xhamisë së Plumbit
Muhamed Sytari
Thirrës islam- Shkodër
16 nëntori i
vitit 1990 është një datë historike për kombin shqiptar. Pas një
periudhe të gjatë nën sistemin ateist të Partisë së Punës, pas
shumë persekutimesh e dhunimesh të të drejtave më elementare
njerëzore ndaj këtij populli, vargonjtë dhe zinxhirët e
diktaturës komuniste ranë. Sëbashku me ta ra edhe sistemi
politik monist. Zhvillimet demokratike e morën shoqërinë
shqiptare drejt realitetesh të reja e qëllimesh ende të
parealizuara...
16 nëntori i
vitit 1990, shënoi rihapjen e Xhamisë së Plumbit, ku qindra e
mijëra qytetarë të Shkodrës morën pjesë në këtë gëzim të madh
kombëtar (sikurse edhe në rastin e rihapjes së Kishës së
Rrmajit), ndonëse erëra të reja do të fryenin për muslimanët
shqiptarë dhe identitetin e tyre fetar, edhe pse kishin dalë nga
një realitet i zi drejt një tjetri, në pamje të parë i ndryshëm
nga i pari.
Sa herë që
kujtojmë 16 nëntorin e vitit 1990, na shkon mendja edhe tek
elita e dijetarëve më të shquar të Islamit në vendin tonë, të
cilët në një formë a në një tjetër u persekutuan dhe u dhunuan
nga “revolucionarët e kuq”. I kujtojmë me respekt dhe u dërgojmë
rahmetet e sinqerta shpirtrave të tyre të trazuar, kujtimit të
tyre të paharruar, emrit të tyre të madh!
I kujtojmë
me respekt martirët e besimit, dëshmorët e fjalës së lirë,
shehidët e përballimit me forcat e territ femohues, njerëzit e
mëdhenj me të cilët çdo komb do të mburrej.
Në këtë
ditë, është e pamundur të mos qëndrojmë me respekt para kujtimit
të elitës së dijetarëve muslimanë shqiptarë që u sprovuan në
burgjet komuniste a në lirinë e tyre intelektuale, si:
1. Hafiz Ali Korça (burgosur në vitin 1945),
2. Hafiz Ibrahim Dalliu (burgosur në vitin 1946),
3. Hafiz Ismet Dibra,
ish- drejtor i Medresesë së Përgjithshme, Tiranë (burgosur
në vitin 1946),
4. Hafiz Sabri Koçi (burgosur në vitin 1966),
5. Dede Reshat Bardhi (internuar 15 vjet),
6. Haki Sharofi, ish-kryeredaktor i revistës “Zani i Naltë”
(burgosur në vitin 1946),
7. Jonuz Bulaj (burgosur në vitin 1946),
8. Vexhi Buharaja (burgosur në vitin 1946),
9. Ismail Muçej (burgosur në vitin 6 shtator 1952 - 24 prill
1963),
10. Haxhi Faik Sheh Qazim Hoxha (burgosur në vitin 4 qershor
1966),
11. Hasan Tahsini (burgosur në vitin 1947),
12. Baba Bedriu i Brerimës (ekzekutuar në vitin 1947),
13. Baba Hajro Progonati (ekzekutuar në vitin 1947),
14. Hafiz Mustafa Varoshi, ish-myfti i Durrësit (burgosur
në vitin 1945),
15. Hafiz Sherif Lëngu, ish-kryetar i Këshillit të Naltë të
Sheriatit (burgosur në vitin 1945),
16. Hafiz Esat Myftia, ish-kryetar i Komunitetit Mysliman
Shqiptar (burgosur në vitin 1946),
17. Hafiz Musa Dërguti[1]
(burgosur në vitin 1946),
18. Hafiz Ali Kraja[2]
(burgosur në vitin 1945),
19. Imam Liman Shabani (vdekur në burg më 1945),
20. Imam Met Troci (vdekur në burg më 1947),
21. Sheh Ibrahim Karabunara (vrarë në burg më 1947),
22. Sheh Myslim Luma (vdekur në burg më 1953),
23. Baba Myrteza Kruja (vdekur në burg më 1945),
24. Imam Ahmet Hyseni (vdekur në burg më 1945),
25. Dervish Mehmet Verleni (vdekur në burg më 1947),
26. Xhemal Naipi (me vendim nr. 218, dt. 23.6.1947 të Gjykatës
Ushtarake Shkodër është dënuar ... me privim lirie për jetë, me
punë të detyruar, humbjen e të drejtave civile e politike...-
vdiq në burgun famëkeq të Burrelit në vitin 1955 në moshën 77
vjeçare, pa pasur familjarët dijeni as për varrin e tij),
27. Hafiz Sheuqet Boriçi (i vetëizoluar në shtëpi deri në
vdekje),
28. Hafiz Sabri Bushati (u vetëizolua në shtëpi në vitin 1967,
në moshën 77 vjeçare deri në vdekje),
29. Molla Alush Zaganjori (i vetëizoluar në shtëpi deri në
vdekje),
30. Shejkh Hafiz Vehbi Sulejman Gavoçi (u ndalua disa herë nga
regjimi komunist për të vizituar vendlindjen e tij, Shkodër),
etj.[3]
(Për
efekt të moszgjatjes, nuk po përmend shumë emra të hoxhallarëve
të nderuar, të dënuar me punë të rënda fizike e denigruese në
syrin e shoqërisë. Sprova e tyre ishte më e rëndë se ekzekutimi
i menjëhershëm, internimi a burgosja e gjatë!)
Janë të
shumtë. Edhe më shumë sesa të përfshihen në këtë përkujtimore jo
të parastësishme. All-llahu e pranoftë vuajtjen e tyre,
sakrificën, durimin, persekutimin, brengat, lutjet me duar të
lidhura e të gjakosura..!
“E
për ata që u vranë
në rrugën e All-llahut mos thoni: "Janë të vdekur", Jo, ata janë
të gjallë, por ju nuk kuptoni (gjallërinë e tyre)”[4]
[1]
[Po ashtu i mbështjellë nofullash me shami për mungesë
mjekre edhe plaku tjetër hafiz Musa Dërguti, që do kohë
ma parë ia kishte la në gjak fytyrën nji polici, kur ai
i kishte pasë derdhë ujtë e “abdesit” aty te truma, e që
kur kishte kenë në Sigurim, i kishte pasë thanë nji
shoku të dhomës: “Më kërkojnë me folë për priftën, dojnë
me na përça, e nesër me thanë se u pushkatuen priftënt
me dëshmitë e hoxhallarëve. U kam thanë bani çka të
doni, se atë punë s’e baj kurr”]- Shih: Ahmet Bushati,
“Në gjurmët e nji ditari”, Shkodër, 2007, fq. 428.
[2]
“Më 1934, kur unë isha ende student në Medresenë e
Tiranës, Hafiz Ali Kraja botoi librin me titull: “A
duhet feja? A e pengon bashkimin kombëtar?” ku u jepte
përgjigje diskutimeve të asaj kohe për këtë çështje.
Libri i tij ruan vlera të mirëfillta edhe sot sepse
mbron parimin demokratik me argumente të shëndosha se
besimet fetare nuk ka se si ta pengojnë bashkimin
kombëtar”- Shih: Imam Vehbi Ismaili, “Baza e çdo feje-
përsosmëria morale”, në përmbledhjen: “Shekulli 21-
mendime dhe opinione”, ideja dhe sponsorimi nga Dino
Asanaj, New York, 1996, fq.190.
[3]
Një material më shterrues rreth emrave të hoxhallarëve
dhe shehlerëve të persekuatuar nga sistemi komunist
është edhe ai i zotërinjve Nasuf Dizdari e Faik
Kasollja, në gazetën “Drita Islame”, viti I i botimit, e
premte, 6.3.1992, nr.5, prej nga janë marrë edhe disa
nga të dhënat e mësipërme.
[4]
Kur’ani:
2:154.
Comments (3)
17.01.08