ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

Haxhi Faik Hoxha- një jetë plot besim e përkushtim

(Shkodër, më 14 prill 2010) 

“Unë nuk i kërkoj temat, ato më gjejnë vetë dhe kështu kam shkruar atë që duhet shkruar” - thoshte poeti i madh Horhe Luis Borhes. Ndoshta, kjo ka ngjarë edhe në lidhjen time me idenë dhe dëshirën për t’u angazhuar me këtë veprimtari që po organizojmë. Pikërisht heshtja e madhe, me të cilën është rrethuar personaliteti i myftiut H. Faik Hoxha (më jetëgjati në drejtimin e kësaj detyre të vështirë, aq më tepër në një qytet si Shkodra e pas viteve 1990) dhe elementë të shumtë përreth saj, që e bëjnë më intriguese, më kanë “thirrur” dhe më kanë “kërkuar”, për t’u bërë nxitësit kryesorë që në një ditë të bukur si kjo, të mblidhemi dhe të nderojmë këtë burrë, që kaderi e solli të ishte myfti i Shkodrës për 12 vite me radhë! Çfarë përfaqëson H. Faik Hoxha në mesin e një vargu të gjatë hoxhallarësh, myftilerësh e shërbyesish të përkushtuar ndaj Thirrjes Islame në vendin tonë? Çfarë kontributi ka në lëvizjen islame të këtyre dy dekadave të fundit, në Shkodër, por jo vetëm? E, para duarve të këtij 80 vjetori, si e ndjen veten ai përpara pasqyrës së jetës? Jeta e këtij burri 80 vjeçar ka qenë plot vuajtje, mundime, por edhe të papritura të këndshme...


Dymbëdhjetë vite në krye të myftinisë Shkodër dhe tetë dekada që mban mbi supe, janë tashmë një thesar i çmuar plot eksperienca të rralla humane, kujtime brezash, sakrifica të tëra në rrugën e ruajtjes së identitetit islam. Pengesa të shumta të kaluara në mbrojtje të adhurimeve, riteve fetare islame dhe lidhjes së sinqertë me Zotin; nga ky njeri i shquar me ngjarjet bashkudhëtare, kthehen në elementë të rëndësishëm të historisë tonë fetare e kombëtare dhe domosdoshmërisht duhet të njihen nga të gjithë, veçanërisht nga brezi i ri.


Haxhi Faik Hoxha u lind më 14 prill 1930 në Shkodër. Pas gjashtë javësh ai shkon në Durrës, ku babai i tij, Sheh Qazim Hoxha, shërbente si vaiz. Po atë vit, i ati me familje shpërngulen në Tiranë.
Për marrëdhënien e tij me të atin, ai kujton: “Në periudhën e fëmijërisë, më afër kam qenë me nënën time, pasi babai në të shumtën e kohës ishte i zënë, si Sheh, si myderriz në medresenë e Tiranës etj.
Kur kam hyrë ne medrese, kam patur një lidhje të fortë me babain, saqë e kam dashur më shumë se nënën. Kujtoj, se kur vinte sezoni i verës dhe familja ime shkonte në Shkodër, unë rrija vetëm me babain tim.
E kam dashur si prind, por edhe si mësues, pasi prej tij kam mësuar rregullat e para të fesë. E kishte zakon të më mësonte gjatë verës lëndët e vitit që vinte. Kështu, kur fillonte viti i ri shkollor, unë i dija mësimet që herët. Kjo më ka ndihmuar të jem i pari i klasës”.


Natyrshëm, lidhja shpirtërore me të atin, dijetarin e shquar, komentatorin e Kur’anit dhe udhëheqësin shpirtëror të një pjese të mirë të klasës intelektuale islame të kohës së tij, Sheh Qazim Hoxha, do të jepte frytet e saj legjitime në formimin besimor, intelektual, qytetar e largpamës të Haxhi Faik Hoxhës.


Nga viti 1935-1939, ai kryen shkollën fillore në Tiranë. Gjatë kësaj kohe ai kujton edhe porositë e vyera të drejtorit të shkollës për mbrojtjen e flamurit shqiptar, në një kohë kur vendin tonë e kishte pushtuar Italia.
Nga viti 1939-1948, ai vazhdon me sukses dhe kryen me nota të shkëlqyera Medresenë e Përgjithshme të Tiranës. Më pas, lidhja e tij me këtë medrese do të vazhdojë, ku emërohet mësues i arabishtes, besimit, predikimit etj. Dhe vazhdon të qëndrojë në këtë funksion për një vit e gjysëm deri në vitin 1952.


Pas lirimit nga shërbimi ushtarak, ai detyrohet të merret me një punë, larg origjinës së formimit të tij. Për këtë, ai dëshmon: “Ato vite ishin të vështira. Unë sapo isha martuar. Nëna ime ishte e moshuar dhe kishte nevojë për një krah në shtëpi. Nga ana tjetër, edhe Komunitetit Mysliman po i ngushtohej rrethi i veprimtarisë. Mundësia për të shkuar me shërbim fetar jashtë Shkodrës ishte e vështirë, kështu u detyrova të gjej një punë tjetër, deri më 4 qershor 1966, kur jam arrestuar dhe jam burgosur.”


Nga viti 1966-1989, vuan 23 vite burgim në birucat e sistemit më të çmendur të kohërave, sistemi i armiqësimit me miqtë e Zotit dhe besimtarët e tij!
Me ndryshimet politike dhe rigjallërimin e jetës fetare në vend, pas formimit të Bashkësisë Islame në Shqipëri, në fillimet e vitit 1991, me propozimin e Hafiz Sabri Koçit, Haxhi Faik Hoxha përzgjidhet si myfti i Shkodrës, detyrë të cilën e mban me dinjitet deri në vitin 2003, kur për arsye shëndetësore jep dorëheqjen e tij.


Periudha 12 vjeçare e myftinisë së H. Faik Hoxhës është e mbushur me ndodhi të shumta, duke filluar nga përpjekjet për rimëkëmbjen e jetës fetare dhe institucioneve islame në vend e deri në përurimin e xhamisë madhështore të Parrucës.
Gjatë kësaj periudhe 12 vjeçare, myftinia Shkodër nën drejtimin e tij ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e vlerave të pastra islame, qytetare e kombëtare. Në ruajtjen, kultivimin dhe përhapjen e mësimeve të Kur’anit, Traditës Muhamedane, si shpresa dhe optimizmi për një jetë dhe një të ardhme më të mirë për shoqërinë shqiptare e mbarë kombin, edukimi i brezave të rinj me moralin e fesë dhe besimit në Një Zot, solidarizimi me njerëzit në nevojë, nxitja e harmonisë ndërfetare.


Ditë pas dite, institucioni i myftinisë Shkodër nën drejtimin e tij po rimëkëmbej, ndonëse “kabilët” e kohës nuk reshtën asnjëherë në përpjekjet e tyre të dështuara për ta ndaluar hovin dhe angazhimet e lavdëruara në këtë drejtim.
Xhamisë së vjetër të Plumbit nisën t’i shtohen edhe shumë xhami të reja. 9 xhami në qytet e 38 në fshatrat e Shkodrës janë dëshmitari më i mirë i kësaj ringjallje. Literatura e re fetare islame nisi të qarkullonte në duart e besimtarëve, sidomos të rinjve të pasionuar pas fesë së gjyshërve. Dijetarët islamë shqiptarë në mërgatë dhanë kontributin e tyre të vyer e të pakursyer. Kurset fetare gjallëruan procesin e ripërtëritjes islame. Shumë të rinj muslimanë u dërguan për plotësimin e studimeve islame jashtë vendit dhe u kthyen teologë, thirrës islamë, hoxhallarë e shërbestarë në rrugën e udhëzimit islam.


Haxhi Faik Hoxha meriton respekt dhe nderim të madh edhe për faktin se me kurajon e tij, ai nuk u dorëzua në vitet më të vështira të krijimit të një institucioni islam, si myftinia Shkodër e dekadës së fundit të shekullit që kaloi. Njerëzit ishin të varfër. Kuadro fetarë kompetentë nuk kishin mbetur më! E megjithatë, me urtësinë e tij, me afrimin e intelektualëve muslimanë, besimtarëve të vjetër, trashëgimisë së viteve të shkuara e përpjekjeve të shumta, ai arriti që jeta fetare islame të gjallërohej e të lulëzonte vit pas viti. Aktivitete të shumta fetare e kulturore, hapja e medresesë së re të qytetit, mevludet nëpër xhamitë e ndryshme, në qytet e sidomos në fshat, mukabelet e Kur’anit në Ramazan, vaset e larmishme etj, arritën t’i japin ngjyresën islame jetës fetare në qytetin tonë të lashtë.


“Jam i vetëdijshëm se çfarë ka qenë në dorën time për t’u bërë, është bërë me aq sa kam patur mundësi!”- më tha një ditë teksa e pyesja për vështirësitë e kohërave të shkuara.
Gjatë kësaj periudhe 12 vjeçare, puna dhe veprimtaria e myftiut Haxhi Faik Hoxha është vlerësuar maksimalisht edhe nga presidenti i Republikës, Këshilli Bashkiak Shkodër, Akademia e Shkencave Tiranë, Kryesia e K. M. Sh etj. Ai është vlerësuar si një prijës fetar që me punën e tij ka mbjellur urtësi, besim, qytetari, harmoni, shpresë e optimizëm, si një pishtar i ringjalljes së vlerave islame, mbrojtës i interesave kombëtare.  


Dhe në përfundim të fjalës sime, kam dëshirë ta kthej kokën nga e kaluara e kujtimeve të Haxhi Faik Hoxhës. Aty është edhe babai, njëkohësisht udhëheqësi i tij shpirtëror Sheh Qazim Hoxha...
“Kujtoj një herë, se në shtëpi erdhi një letër për babën. Ia dërgonte një nga shehlerët e Sudanit. Në të i shkruante: Iu luta Resulull-llahit (a.s) të më njihte me një nga shehlerët tixhani, larg vendit tim. Resulull-llahi (a.s) më tha: “Shkruaj: Qazim Hoxha, myderriz në medresenë e Tiranës!” Me anë të kësaj letre, ai i dërgonte babës edhe ixhazetin e tij në shenjë respekti. Kjo letër ka ekzistuar dhe e kam parë me sytë e mi!”- rrëfen ai me shumë nostalgji.


Natyrshëm, në këtë emocion të këtij kujtimi kaq të veçantë, nuk ka sesi të mos mendojmë se lutjet e sinqerta për mbarësi e begati të një Shehu të afërt me Resulull-llahin (a.s), kanë shoqëruar çdo ditë të jetës së tij myftiun e Shkodrës, Haxhi Faik Hoxha. Në një farë mënyre, ata kanë qenë kredoja e tij shpirtërore, busulla e tij orientuese, feneri ndriçues i një myftinie në krye të së cilës ai u bë shembull dhe mbeti simbol nderi e krenarie!
Paç jetë të gjatë, o burrë fisnik!
Faleminderit!


Imam Muhamed Sytari
(referati i mbajtur në mbrëmjen solemne

me rastin e 80- vjetorit të myftiut Haxhi Faik Hoxha,

ditën e mërkure, më 14 prill 2010, në teatrin “Migjeni”)


Haxhi Faik Hoxha- një jetë plot besim e përkushtim
Haxhi Faik Hoxha- një jetë plot besim e përkushtim
Haxhi Faik Hoxha- një jetë plot besim e përkushtim
Haxhi Faik Hoxha- një jetë plot besim e përkushtim
Haxhi Faik Hoxha- një jetë plot besim e përkushtim
Haxhi Faik Hoxha- një jetë plot besim e përkushtim
Haxhi Faik Hoxha- një jetë plot besim e përkushtim
Haxhi Faik Hoxha- një jetë plot besim e përkushtim