“Ky është ixhazeti i Sulejman Halil
Shkodranit”
(Dije, All-llahu të dhashtë të mbarën, ty dhe ne, drejt bindje së Tij, ...)
Imam Muhamed
Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Më 31 dhjetor 2007, teksa ndodhesha në Damask për një aktivitet
ndërkombëtar fetaro-shkencor, i bëra një vizitë hoxhës tim të
dashur, Shejkh Vehbi Sulejman Gavoçi. Meqenëse kohë më parë i
kisha kërkuar disa të dhëna për babain e tij, Hirësia e Tij, me
dashamirësinë dhe shpirtmadhësinë që e karakterizojnë, më vuri
në shërbim të punës sime kërkimore atë çfarë posedonte nga
trashëgimia e të atit dijetar.
Në përbërje të zarfit, ku ishin ruajtur, kishte një material në
gjuhën arabe, në dorëshkrim, me titull: “Rezyme mbi jetën e
babait tim, All-llahu e mëshiroftë”, 6 faqe të formatit A4, një
faqe me virdin ditor të Haxhi Hafiz Sulejman Gavoçit, si dhe
ixhazetin e plotë me vulën e mësuesit të tij Hafiz Jusuf
Këlmendi.
Ndonëse ixhazeti në fjalë i përket më shumë nxënësit sesa vetë
mësuesit, e pashë të arsyeshme ta përfshij në studimet e
trashëgimisë së hoxhallarëve tanë të lartësuar, për të qenë
argument i vlerave diturore dhe i pozitave arsimore islame të
muxhizit në fjalë në mesin e hoxhallarëve shkodranë të kohës,
por edhe i muxhazit të nderuar.
Ixhazeti që Hafiz Jusuf Këlmendi i ka dhënë nxënësit të tij
Haxhi Sulejman Gavoçi, përbëhet nga 16 faqe, brenda dy kapakëve,
në formën e një broshure, në kokën e së cilës, në gjuhën arabe
shënohet: “Ky është ixhazeti i Sulejman Halil Shkodranit”.
Në faqen e parë të ixhazetit, me një kaligrafi artistike arabe,
në pesë rreshta të shkruar me ngjyrë të artë, shënohet: “Kjo
është liçenca (ixhazeti) ime për Haxhi Hafiz Sulejman Efendiun,
sikurse më kanë liçencuar Zotërinjtë e mi. Unë jam i varfri
Haxhi Hafiz Jusuf Abdyl Këlmendi, All-llahu i faltë të dy!”
Në faqen vijuese shënohet teksti i plotë i ixhazetit, ku pas
shkrimit me shkronja të mëdha të besmelesë, muxhizi dëshmon:
“Falënderimet i takojnë All-llahut, i Cili na mësoi atë që nuk e
dinim, i Cili na lumturoi dhe na fisnikëroi me mësimin e
diturive.
Salavatet dhe selamet janë për Muhammedin, udhëzuesin e popujve,
për familjen dhe shokët e tij, që punuan me sheriatin e profetit
të nderuar!
Dije, All-llahu të dhashtë të mbarën, ty dhe ne, drejt bindje së
Tij, se shkaku i arritjes së fisnikërive të larta, pozitave të
çmueshme, gradave të shndritshme dhe lumturive të përhershme,
është dituria e logjikeve dhe të transmetuarave, sidomos atyre
të sheriatit, për të cilat i dërguari alejhis-selam ka thënë:
“Ai që ndjek një rrugë për të kërkuar dituri, All-llahu do ta
çojë drejt rrugëve të xhennetit”, si dhe: “Me të vërtetë melekët
shtrijnë krahët e tyre në shenjë kënaqësie për kërkuesin e
diturive”, si dhe: “Për dijetarin kërkon falje çdokush në qiej e
në tokë, edhe balenat në thellësi të ujit”, si dhe: “Mirësia e
dijetarit mbi adhuruesin është si mirësia e hënës, natën e
plotësisë së saj, mbi të gjithë yjet”, si dhe: “Zahidi (asketi)
adhurues pa dije është si harku pa litar”, si dhe: “Dijetarët
janë trashëgimtarët e pejgamberëve”. I dërguari i All-llahut
ka thënë gjithashtu: “Ai që mësohet në fenë e All-llahut të
Madhëruar, All-llahu do t’i garantojë fenë dhe botën e tij”.
...
Thotë Aliu (ker-remmell-llahu vexhhehu ve radijall-llahu anhu):
“Krenaria nuk i takon kujt pos njerëzve të dijes, sepse ata, për
atë që kërkon udhëzim, janë ciceronë. Të tjerët janë hije të
gjalla, si bagëtia, pa mendje e mendim”. Ai gjithashtu ka thënë:
“Kur vdes një dijetar, hapet një vrimë në Islam që nuk mbyllet
përveçse nga një pasues i tij”.
Argumentet logjike dhe teologjike janë të shumta rreth këtij
kapitulli. Por meqenëse kërkesa më e lartë dhe më e ndershme,
është kërkimi i diturive, ajo është e lidhur ngusht me mësimin.
Mësimi me një mësues të ditur, të ndershëm dhe një murshid të
plotë, këshillues. E pikërisht me këto cilësi të lartpërmendura
karakterizohej dijetari i ndershëm, deti gjithëpërfshirës,
unikali i kohës së tij, unikali i motit të tij, kalorësi i
mejdaneve të verifikimit, i zoti i kulmeve të imtësive,
shembëlltyra e ulemave, i pari i të ndershëmve, i njohur si
Hoxha Hafiz Halid begu i Ibrahim beg Bushatit, All-llahu me
butësinë e Tij të fshehtë bëftë mirë me ta, i plotësoftë me
përheshmërinë e adhurimit ndaj Tij me falënderimin e mirësive
dhe i lartësoftë drejt njohjes së Tij me mirësitë e Tij më të
madhnueshme. Atë e zgjodha, duke ndjekur mexhlisin e tij. Në
dersin e tij qëndrova për një kohë të gjatë dhe u ruajta të mos
hy aty ku nuk më takon, në këtë çështje, saqë në praninë e tij
qëndroja si të isha udhëtar, ndonëse isha prezent!
E kur All-llahu më dha mbarësi, me plotësimin e dijeve logjike e
teologjike, më trokitën disa të ndershëm, të plotë, të
përkushtuar. Prej tyre ishte edhe zotëria i jonë i nderuar,
dijetari i plotë, i zgjuari, i shquari, shkodrani Haxhi Hafiz
Sulejman Hafiz Halil efendiu, All-llahu i dhëntë mbarësi drejt
asaj që ai do dhe pëlqen, e ruajtë nga sprovat dhe nga çdo gjë
që nuk pëlqen.
Nga mësuesi im i lartpërmendur kërkova leje që t’u mësoj të
tjerëve dituritë. Pas istihares, ai më dha ixhazet gojor dhe të
shkruar, kështu që, me mbarësinë e All-llahut të Madhëruar,
fillova të përhap (dituri) e të sjell dobi...”
(e papërfunduar...)
|