Xhumle
Pejgamberanë,
me’mûr jem mej bâ
tasdík...
(Hafiz Jusuf Këlmendi, një ndër muxhizët e shquar të Shkodrës në fillim-shekullin 20.)
Imam Muhamed Sytari
Shkak i këtyre rreshtave u bënë disa vargje të shkëputura nga
një ilahi e gjatë e krijuar nga Hafiz Jusuf Këlmendi
(1876-1943), një ndër muxhizët e shquar të Shkodrës në
fillim-shekullin 20.
Në vargjet 9-10, nga 74 vargjet e kësaj ilahie të botuar me
shkronja arabe, hafizi bën një konstatim të thjeshtë, por shumë
të rëndësishëm për saktësinë e besimit të çdo muslimani. Thotë:
Xhim- Xhumle Pejgamberanë me’mûr
jem mej bâ tasdík
Pej Zotit qi çue jân
trim e grû duhet me dít
Kuptimi i këtyre vargjeve është: “Xhim (shkronja e pestë e
ebxhedijes arabe)- Të gjithë të dërguarit e Zotit, jemi të
urdhëruar t’i vërtetojmë e t’i besojmë. Ata janë të dërguar nga
ana e Tij dhe këtë duhet ta dijë çdo burrë e ço grua”.
Në këto vargje flitet për besimin në të dërguarit e All-llahut,
të cilët jemi urdhëruar t’i besojmë pa përjashtim, edhe për
faktin e qenies së tyre pjesëtarë të një familje të madhe
besimore, që edhe pse ka degë të shumta, ka një trung të vetëm e
të pandryshueshëm. Për këtë, në Kur’anin Famëlartë urdhërohet:
“I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu
edhe besimtarët. Secili i besoi All-llahut, melekëve të Tij,
shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në
asnjërin nga të dërguarit e Tij...”.[1]
Fillimisht duhet ditur se dërgesa profetike nuk mund të fitohet
me vepra e përkushtim, por ajo është përzgjedhje hyjnore nga
All-llahu (xh.sh)!
Të dërguarit, janë ajka e përzgjedhur në mesin e njerëzisë nga
All-llahu i Madhëruar,[2] të cilëve u
shpalli Librat e Tij dhe u zbriti ligjet që të lajmëronin
njerëzit për atë çfarë Zoti kishte zbritur. Detyra e tyre ishte
të thërrisnin njerëzit në besim dhe në veprimin e asaj që ka
zbritur prej Zotit të botërave për të arritur në këtë mënyrë
kënaqësitë e kësaj bote dhe të jetës së ardhshme.[3]
Të dërguarit e përmendur në Kur’an janë 25: Ademi, Idrisi, Nuhi,
Hudi, Salihi, Ibrahimi, Luti, Ismaili, Is’haku, Jakubi, Jusufi,
Ejubi, Dhulkifli, Shuajbi, Musai, Haruni, Iljasi, Eljesai,
Davudi, Sulejmani, Junusi, Zekerija, Jahja, Isai dhe Muhammedi,
paqja dhe shpëtimi i All-llahut qoftë mbi ta.
Ndër kushtet e të dërgurit të All-llahut, përmendim[4]:
Të jetë i gjinisë mashkullore, sikurse dëshmohet në Kur’an: “Ne
nuk dërguam para teje vetëm se burra nga banuesit e qyteteve, të
cilët i pajisëm me shpallje”[5], që do të
thotë se femra nuk mund të jetë profete, sikurse po dëgjojmë e
po shohim në ditët e sotme, në një kohë kur injoranca fetare në
mesin e masës është rritur më shumë se asnjëherë tjetër dhe kur
dexhalët e ndryshëm kanë gjetur terren për të shitur mallin e
tyre të kalbur me më të lartin çmim!?
Të jetë i lirë, jo rob, që do të thotë se Lukmani i urtë,
nuk ishte profet, por njeri që i ishte dhënë urtësia: “Ne i
patëm dhënë Llukmanit mençuri të përsosur”[6].
Përtej kësaj, dera e dërgesës profetike është mbyllur me
dërgesën e hazreti Muhammedit (a.s) që është edhe vula e të
dërguarve. Në Kur’anin Famëlartë urdhërohet: “Muhammedi nuk ka
qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj, por ai ishte i dërguari
i All-llahut dhe vulë e të gjithë pejgamberëve, e All-llahu
është i dijshëm për çdo send”.[7]
Besimi në të dërguarit, do të thotë, vërtetimi i plotë i
dërgesës profetike të secilit prej tyre që është përmendur në
Kur’an dhe vërtetimi i përgjithshëm i të gjithë atyre që nuk i
ka përmendur Kur’ani.[8] Në Librin e All-llahut
urdhërohet: “S'ka dyshim se ata që nuk besojnë All-llahun dhe të
dërguarit e Tij, dëshirojnë të bëjnë dallim mes All-llahut dhe
të dërguarve të Tij e thonë: “Ne i besojmë disa e nuk i besojmë
disa të tjerë” e mes këtij duam të marrin një rrugë - Të tillët
janë jobesimtarët e vërtetë; e Ne kemi përgatitur dënim të fortë
e nënçmues për jobesimtarët”[9]
[1]
Kur’ani, Bekare, 285.
[2] Kur’ani Famëlartë dëshmon: “All-llahu
e di më së miri, ku ta vërë dërgesën (shpalljen) e Vet.”-
Kur’ani, En’am, 124.
[3] Ali Sherbexhi, “Akidetul-muslim”,
botimi I, Damask, 1994, fq. 51.
[4] Muhammed el-Habesh dhe Alauddin el-Hamvi,
“El-vexhiz fi sherhi xheuheretit-teuhid”, pa vend e vit botimi,
fq. 57.
[5] Kur’ani, Jusuf, 109.
[6] Kur’ani, Lukman, 12.
[7] Kur’ani, Ahzab, 40
[8] Ali Sherbexhi, “Akidetul-muslim”,
botimi I, Damask, 1994, fq. 54.
[9] Kur’ani, Nisa, 150-151.
|