Haxh Mabrur!
(Jepini selam Resulull-llahit alejhis-selam edhe për çdo musliman nga Shkodra, Shqipëria,,...)
Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Të dashur vëllezër dhe motra, miq të All-llahut...
Edhe pak ditë dhe ju do të udhëtoni drejt vendeve të shenjta,
Mekkës dhe Medines, në udhëtimin tuaj më të mrekullueshëm e më
të shtrenjtë, udhëtimin e jetës.
Edhe pak ditë dhe ju do t’i përgjigjeni thirrjes hyjnore për të
plotësuar një të pestën e fesë suaj, duke bërë haxhin, me
vullnet të plotë, me dashuri të madhe, me zemër të përmalluar...
Edhe pak ditë dhe ju do të jeni “Miqtë e Mëshiruesit të
gjithësisë”...
Të dashur vëllezër dhe motra, vizitorë të vendeve të shenjta,
Kur të keni mbërritur në tokën, ku nisi të zbriste Kur’ani,
uluni dhe putheni atë tokë të bekuar; e ka shkelur
Resulull-llahi (a.s), sahabët, njerëzit më të mirë të kësaj bote!
Putheni atë tokë, të cilën po e shkelni edhe ju me ftesën dhe
thirrjen e Zotit të gjithësisë! Putheni atë tokë të shtrenjtë të
besimit...
Do të dilni para Qabes së Madhnueshme... Ah, fatlumët ju! Ashtu,
me sytë që ju mbushen vetëvetiu me lotë gëzimi, lutuni për vete,
për familjet tuaja, për bashkësinë tonë islame, për Shkodrën,
për Shqipërinë, lutuni... Lutuni, se ai është momenti më sublim
i krejt jetës suaj, në atë vizitë të Shtëpisë, vendit të
bekimeve dhe prehjes hyjnore... Lutuni... dhe mos i shqitni sytë
nga Shtëpia e Bekuar...
Aty, në atë vend të mbarë, do të shihni gjurmët e Hz. Ibrahimit
(a.s). Jepini selam dhe thoni babait të profetëve të All-llahut,
se muslimanët e Shkodrës i bëjnë selam dhe me respektin më të
madh e kujtojnë historinë e përkushtimit dhe dashurisë së tij
për Zotin dhe rrugën e Tij!
Kur të bëni sa’jin, kujtojeni atë nënë të devotshme, që kërkonte
pak ujë për djalin e saj, në atë sahra të thatë e të pabanuar.
Teksa ecni në gjurmët e saj, lutuni edhe ju për fëmijët tuaj,
për fëmijët e muslimanëve të Shkodrës, të Shqipërisë, lutuni dhe
kërkoni, si nëna ujin e shpëtimit, çdo të mirë për fëmijët tuaj!
Kërkoni nga All-llahu, si nëna Haxhere që kërkonte pak ujë jete,
dritën e udhëzimit dhe të dijes për fëmijët tanë. Kërkoni All-llahut
t’i ruajë fëmijët tanë nga devijimi në besim dhe dinjitet.
Kërkoni Zotit t’i ruajë ata nga dija devijuese dhe tendenca për
t’i zhveshur nga besimi dhe identiteti i tyre nëpërmjet dijes!
Lutuni me zemrën tuaj për fëmijët e këtij vendi, se ata vërtetë
kanë shumë nevojë për lutjen tuaj, si Ismaili i vogël për pak
ujë zemzemi..!
Shkoni te Zemzemi dhe pini prej tij. Shuajeni etjen me ujin e
bekuar, që shëron plagët e hijes së gjynahit dhe zbardh fytyrën
e drejtuar nga Drita e Zotit. Pini, të lumtë ju, pini nga burimi
i ujit të mrekullive hyjnore..!
Mos harroni, të dashur haxhilerë, aty në tavafin e përkushtimit,
me lutjen e “telbijes” në gojë, të dëshmoni Njësinë Absolute të
All-llahut Një, Zotit të botërave! Aty në tavaf, lutuni që All-llahu
t’ju forcojë zemrat në besim! Lutuni që t’ju dhurohet
qëndrueshmëria e përhershme dhe udhëzimi pa devijim, në besimin
e pastër dhe lutjen e sinqertë drejtuar Një Zoti të Vetëm të
kësaj gjithësie! Aty, në tavafin e miliona muslimanëve nga mbarë
bota, prekni shpirtin e vëllazërisë së vërtetë islame dhe sillni
me vete pak shpirt harmonie islame të vërtetë, edhe në Shkodër,
në Shqipëri!
Do të shkoni në Mina, do të shkelni Arefatin, në ditën më të
vështirë për të mallkuarin, por në më të bukurën ditë të jetës
suaj... Aty, në mes të lutjeve, mos harroni njerëzit tuaj, të
dashurit, miqtë, dashamirët, komshitë, familjarët, të gjithë pa
përjashtim... Përfshijini edhe ata në lutjet tuaja, sepse është
dita e lutjes, dita e përgjigjes, dita e faljes, dita e
pastrimit, dita e madhnueshme e Arefatit, ku falen gjynahet dhe
nis një jetë e re për secilin prej jush, një jetë me faqe të
bardhë, me fletë të bardhë, me zemër të bardhë..! Përfshijini të
gjithë, se mbi kokat tuaja, melekët e mëshirës do të thonë: “Amin,
edhe për ty siç kërkove për vëllanë tënd!”. Lutuni me zemër dhe
përfitoni nga çdo moment i asaj kohe të begatë, të asaj dite të
bekuar, që kushedi a do t’ju premtojë më jeta ta dëshmoni sërish..!
Do të dilni edhe para vendit, ku i mallkuari mundohej të
devijonte nijetin e Ibrahimit (a.s) që ishte nisur të flijonte
të birin. Mos ngurroni, gjuajeni dhe dëbojeni nga jeta juaj!
Gjuajeni dhe forconi besën tuaj me Teuhidin e Krijuesit!
Gjuajeni dhe premtoni All-llahut, se do ta gjuani, si në ato
momente, në çdo përpjekje të tij për t’ju devijuar nga Teuhidi
në shirk, nga besimi në femohim, nga dashuria në smirë, nga
pasuria në varfëri, nga mikpritja në mospritje, nga bujaria në
kopraci, nga... nga... Gjuajeni dhe nxirreni nga jeta e juaj të
mallkuarin!
Vëllezër dhe motra, haxhilerë të dashur!
Nga Mekka drejt Medines, mendoni për hixhretin e pejgamberit
tonë, në rrugën e shpëtimit të fesë dhe dinjitetit njerëzor.
Mendoni dhe konsiderojeni veten tuaj bashkëudhëtarë me
Resulull-llahin (a.s), të cilin do ta takoni pas pak orësh në
Medinen e Ndriçuar me prezencën e tij...
E, kur të mbërrini në Medine... Ah, sikur të ishim me ju, vetëm
për pak çaste, atje në Medinen e rrezatimeve hyjnore... Ah sikur
të ishim, aty ku do të jeni... Merrni frymë thellë, se do të
ndjeni erën e Resulull-llahit alejhis-selam dhe flladet e
dashurisë së tij për ju, pasha All-llahun!
Kur të shkelni në tokën e hixhretit, shtojeni salavatin, sepse
keni hyrë në territorin e mikpritjes së Resulull-llahit! Faluni
dy rekate dhe shijoni ëmbëlsinë e të qenurit në xhaminë e të
dërguarit të All-llahut. Pastaj, me butësi e mall, afrohuni nga
dritarja më e begatë e kësaj bote... Afrohuni te dritarja e
dritës dhe e dashurisë... Aty, pranë varrit të tij, jepini selam
Resulull-llahit alejhis-selam dhe thoni: “Es-selamu alejke ja
Resulall-llah”... Do ta ndjeni me zemër kthimin e selamit nga
pejgamberi (a.s)... Ah, të lumtë ju, kujt do t’i jepni selam...
Jepini selam Resulull-llahit alejhis-selam edhe për çdo musliman
nga Shkodra, Shqipëria dhe thoni të dërguarit mëshirë, se bijtë
e tij në vendin e shqiponjave, nuk e kanë thyer besën megjithëse
bijtë e Ebu Xhehlit janë shtuar si kurrë më parë... Thoni, se
ata vazhdojnë të qëndrojnë, si muslimanët e parë në ditët e
Mekkës... Thoni Habibit, se pasha All-llahun, nuk e devijojmë
fenë e tij dhe besën e dashurisë... Thoni dhe jepini selam,
pafundësisht selame dhe salavate...
Pastaj jepini selam Ebu Bekrit, edhe Omerit, dy shokëve dhe
miqve më të dashur të Resulull-llahit (a.s). Merrni nga
sinqeriteti origjinal i Siddikut dhe burrëria e palëkundër e
Farukut... Jepuni selam me shumë respekt e dashuri...
Vëllezër dhe motra haxhilerë,
Qofshi në mbrojtjen e All-llahut dhe ju qoftë i pranuar nijeti
juaj, vepra e juaj, sakrifica dhe përkushtimi në ditët më të
bukura të jetës suaj, atje, në vendin e kibles sonë, në vendin e
të dashurit tonë, atje në vendin e zemzemit dhe dritës së
Teuhidit!
Qofshi në mbrojtjen e All-llahut dhe ju qoftë i pranuar tavafi,
sa’ji, lutjet e Arefatit, gjuajtja e gurëve, tavafi i lamtumirës,
vizita në Medine!
Haxh Mabrur!
Shkodër, më 13 tetor 2011
|
