Nata e Kadrit dhe dita e Fitrit, ose: “Dëshmitarët fituan”!
(...amin-a të përziera me zërin e lotëve të nxehtë që djegin hije gjynahesh,,...)
31 gusht 2011
Imam Muhamed Sytari
Tashmë, Ramazani me mirësitë e tij të panumërta u largua, duke
marrë me vete gjurmët e secilit prej nesh, në adhurimin e tij,
në bamirësinë e tij, në dëshminë e Njësisë dhe forcimin e saj në
zemër, në pendimin e sinqertë dhe shenjat e faljes në sjelljen e
tij, në ndjesinë e dashurisë dhe frikës ndaj Vetë All-llahut.
Tashmë Ramazani i këtij viti (që qëlloi të niste ditën e parë të
muajit gusht), plot vapë dhe thatësirë, u largua. Nuk vdiq njeri,
nuk u shtrua njeri në spital, nuk lëngoi kush nga agjërimi i
ditëve plot vapë!
I la krenari dhe forcë besimi krejt atyre që agjëruan, duke mos
e vënë në dyshim për asnjë moment përgjigjen ndaj thirrjes
hyjnore, ndryshe nga disa, që e shitën atë për një gotë ujë të
freskët a një kafe të zezë në një ditë me temperaturë të lartë...
Humbën më shumë sesa fituan!
Tashmë, kur edhe vizitat e Fitër Bajramit kanë nisur të sosen,
në këtë orë të vonë të ditës së dytë të tij, disa shënime dhe
kujtime që më lidhin me Natën e Kadrit dhe shpirtin e saj, më
nxitën të ulem para letrës...
Atë natë, me 26 gusht 2011, pas përfundimit të faljes së namazit
të jacisë në xhaminë e Parrucës, shumë besimtarë (burra dhe gra)
ishin bërë gati për të marrë pjesë në faljen e namazit tesbih me
xhematë. Isha i lumtur të shpjegoja mënyrën sesi i dërguari
nxiste axhën e tij për ta falur këtë namaz, për të cilin falen
gjynahet sido që të jenë...
Namazi i 300 tesbiheve, përfundoi me selamin e krahut të djathtë,
por shpirti i asaj nate nisi të pasqyrohej me tërë madhështinë e
tij në momentet e duasë. Një duá që nisi si një shi i lehtë,
por...
Amin-at e qindra besimtarëve të tubuar në atë natë adhurimi,
morën t’i ngjasonin zhurmës së dallgëve të forta, që teksa
përplasen me sipërfaqen e ujit, krijojnë një vorbull cilindrike
që shërben si një centrifugë pastrimi... Edhe ato amin-a të
përziera me zërin e lotëve të nxehtë që djegin hije gjynahesh,
jepnin përshtypjen e një centrifuge pastrimi, që po largonte
njollat e një viti nga zemra të mbushura e të ngarkuara me pikla
gjynahesh, të akumuluara nga 11 muajt e fundit...
Atë natë, krejt thërrisnim: “Ja All-llah, Ja All-llah”! Krejt
ishim zhytur në ëmbëlsinë e kësaj thirrje, teksa valët zanore që
përkthejnë këtë EMËR të madhnueshëm, përhapeshin kudo përreth
nesh duke pasqyruar dritë besimi dhe dashuri të sinqertë
gjynahqarësh në kërkim të teubes...
Ndërkohë, dita e parë e Fitër Bajramit, aty bri xhamisë “Ebu
Bekër”, në momente të caktuara mori dritë si drita e Natës së
Kadrit, për t’u bërë një me të...
Nga minberi i vendosur në sheshin e tejmbushur, si asnjëherë
tjetër në jetën e tij, kërkova nga ata mijëra besimtarë të
pranishëm të përsërisnin pas meje thirrjen e teuhidit. All-llah,
All-llah... Dukej sikur vetë Shkodra ishte përfshirë në këtë
deklamim të fuqishëm, që buçiste nga çdo pëllëmbë e sheshit. “La
ilahe il-lall-llah, La ilahe il-lall-llah”... dhe një qytet i
tërë thërriste në një zë të vetëm NJËSINË e Atij që posedon
gjithësinë...
Thirrja e teuhidit në ditën e Fitër Bajramit, u bashkua me amin-at
e Natës së Kadrit dhe sëbashku u bënë dëshmitarë të besimit... U
bënë dëshmitarë të jetës së tij... U bënë dëshmitarë të besës së
pathyer të muslimanëve në Shkodër... U bënë dëshmitarë...
Tashmë Ramazani me mirësitë e tij të panumërta u largua. Mori me
vete çdo gjë; Natën e Kadrit dhe amin-at e saj, namazin e
tesbihëve dhe dhikret e tij. Me të u bashkua edhe Dita e Fitër
Bajramit dhe thirrja e teuhidit në hapësirat e saj... U larguan
të dy sëbashku dhe lanë kujtime dhe nostalgji, që i dëshmojnë
vetëm ata që thanë: “Amin!” dhe thirrën me zemër: “La ilahe
il-lall-llah!”... E, dëshmitarët fituan!
|