Iftar në shesh...
(...aty bri xhamisë së lagjes së vjetër muslimane të Shkodrës,...)
Imam Muhamed Sytari
11 gusht 2011
Viti i gjashtë. Në sheshin e Parrucës, aty bri xhamisë së lagjes
së vjetër muslimane të Shkodrës, “Karvani i bereqetit” ishte
instaluar, i gatshëm për të pritur ata mijëra agjërues, që do të
kalonin një mbrëmje festive, me iftarin para duarve, të gëzuar
me këtë mirësi dhe shfaqje të vëllazërisë dhe harmonisë islame.
Realisht, teksa afrohesha me vendin, ku ishin vendosur sofrat e
iftarit, njerëzit, që tashmë kishin filluar të mbushnin sheshin,
me fytyra të qeshura, përshëndeteshin me njëri-tjetrin. Një
sofër e pazakontë, me sofrat e përditshme të një viti të tërë,
ishte shtruar për nder të tyre. Sikur i thërriste të shkonin
drejt saj, me agjërim dhe përulje para Zotit të gjithësisë.
Gjithandej dëgjohej përshëndetja e banorëve të xhennetit,
ndërkohë nga minaret e xhamisë, ajetet e sures “El-Kehf”
mbushnin atmosferën me dritën e Fjalës hyjnore...
Iftari në sheshin e Shkodrës, tashmë është kthyer në një traditë,
të cilën duhet ta ruajmë dhe ta perfeksionojmë, në shërbim të
mesazheve të harmonisë dhe qetësisë sociale që përcjell ajo në
realitetet ku jetojmë.
Po mendoja, teksa shihja ata mijëra besimtarë të shpërndarë në
çdo cep të sheshit, sesa e rëndësishme dhe e domosdoshme është
të shfrytëzohen mundësi dhe mënyra të ndryshme për ta bërë
praktikimin e adhurimeve, një traditë qytetare, me të cilën
dallohet shoqëria e jonë. Iftari i kësaj nate më kujtoi namazin
e Kurban Bajramit të vitit të kaluar, aty, në sheshin bri
xhamisë “Ebu Bekër”. M’u kujtua sesi, për herë të parë në
Shkodër, një masë e madhe besimtarësh muslimanë, dilnin që në
orët e para të mëngjesit për të falur sëbashku namazin e “Idul-Ad’hasë”,
në sytë e melekëve të mëshirës, kamerave të shumta të instaluara
përreth, syve të një qyteti të tërë... Ishte një dëshmi e fortë
e një besimi që nuk mund të shuhet dhe as tjetërsohet, ndonëse
thirrjet joshëse janë të shumta, nga çdo kahje...
Po mendoja, sesa e rëndësishme është të shfrytëzohen sheshet dhe
vendtubimet e njerëzve, për të përcjellur nëpërmjet tyre botën e
pasur të besimit, të përkthyer me atë që u pëlqen njerëzve dhe i
bën të ndjehen më të lumtur e më rehat në jetën e tyre, me
dashurinë e besimit dhe madhështinë e tij.
Ç’të keqe ka që në çdo ditë të këtij muaji, të lajmërohet
nëpërmjet kanaleve televizive lokale, nisja e iftarit, direkt
nga sheshi kryesor i qytetit, i shoqëruar me një urim të
përditshëm dhe shpërndarjen e disa dhuratave simbolike për
fëmijët dhe pjesëmarrësit në këtë urim?
Ç’të keqe ka që në çdo ditë prej ditëve të Ramazanit, në oborret
e xhamive të organizohen konkurse fetare për edukimin dhe
nxitjen e të rinjve në thellimin e dijeve dhe kulturës
elementare islame në jetën e përditshme?
Ç’të keqe ka... Janë shumë. Ndoshta, këto reflektime që m’u
sollën në orbitën e vështrimit në prag-iftarin e kësaj nate,
ishin një thirrje dritësuese për të realizuar dhe bërë më shumë
nga ç’bëjmë për ta mbajtur gjallë e të fortë frymën e shenjtë të
këtij besimi e kësaj feje, që është kredo e kombit tonë dhe
historisë së tij të gjatë.
Po mendoja, sesa mundësi të jep ky muaj për ta përhapur kudo
frymën e tij, si një balsam për realitetet afetare shqiptare, që
shpesh përpiqemi t’i fshehim, por që realisht janë aty, si të
gdhendura nga vitet më të errëta të historisë sonë kombëtare, në
përditshmërinë e njerëzve të këtij qyteti e këtij vendi...
Po afrohesha me vendin ku ishin vendosur sofrat e iftarit, teksa
Kryetari i Bashkisë, Prefekti, vëllezërit turq, drejtuesit më të
lartë lokalë dhe vendorë, përfaqësuesit e komuniteteve të tjera
fetare, ishin tubuar sëbashku, në respekt të këtij iftari...
Po afrohesha me vendin ku ishin vendosur sofrat e harmonisë dhe
u luta me zemër që All-llahu i Madhëruar ta ruajë këtë fé të
pastër dhe ta forcojë besimin në Njësinë e Tij në zemrat e
shqiptarëve, që më shumë se kurrë duken si gafilë në rrugëtimet
hutaqe drejt historisë së tyre të panjohur dhe të papriturave të
saj...
Tashmë, iftari në shesh ishte afruar dhe koha kishte nisur të
numërohej së prapthi. Edhe pak, ezani i akshamit do të
lajmëronte fillimin e festës së njeriut me Zotin e Tij, nën
qiellin e mëshirës, faljes dhe udhëzimit të Tij hyjnor...
Iftar të mirë dhe agjërim të pranuar krejt ju vëllezër dhe motra!
Vazhdon me mbarësinë e All-llahut...
|