ZOTI IM TI JE QËLLIMI IM DHE PËLQIMI YT ËSHTË KËRKESA IME!

15 këshilla nga urtësia e Shejkh Abdulkadir Xhejlaniut

(Thua: I frikësohem All-llahut, ndërkohë që i frikësohesh të tjerëve!?”) 

1. “Po t’ju zbuloja disa nga ato që di, do të bëhej shkak e ndarjes tonë!”[1]
 
2. “Ndihmojini të varfërit nga pasuria e juaj! Falënderojeni All-llahun që ju bëri të mundur për të dhënë! Të mjerët ju, nëse lypsari është dhurata e Zotit për ju, njëkoh që keni mundësi të ndihmoni, përse ia ktheni Dhuruesit dhuratën e Tij?! Para meje dëgjoni dhe qani e, kur vjen koha për t’i dhënë të varfërit, ju forcohet zemra! Kjo do të thotë se dëgjimi dhe lotët tuaj nuk paskan qenë të sinqertë për Zotin!”[2]
 
3. “Kush nuk e gjen një shpëtimtar, nuk shpëton!”[3]
 
4. “Mbroni mirësitë e Tij me falënderim, pranoni urdhëresat dhe ndalesat e Tij me dëgjim dhe bindje! Ruani kufijtë e Tij; kur t’ju vijë lehtësimi falënderojeni e, kur t’ju vijë vështirësia, pendohuni para duarve të Tij dhe kontrolloni veten tuaj, pasi Ai nuk i bën kujt padrejtësi!”[4]
 
5. “Janë shtuar ata që falen, agjërojnë, bëjnë haxh, japin zekat dhe bëjnë vepra të mira, për hallkun[5], jo për Hakun!”[6]
 
6. “Dorëzohu, pastaj pendohu, pastaj mëso pastaj puno dhe ji i sinqertë, përndryshe nuk do të udhëzohesh!”[7]
 
7. “Ngrihuni dhe përfitoni nga dera e jetës sa është e hapur! Së shpejti do t’ju mbyllet! Përfitoni nga veprat e mira sa jeni të aftë t’i bëni! Përfitoni nga dera e pendesës dhe hyni në të sa është e hapur! Përfitoni nga dera e lutjes, sepse ju është hapur! Përfitoni nga dera e përshpejtimit të vëllezërve tuaj salihinë, sepse ju është hapur!”[8]
 
8. “Biri im, hidhe rrjetën e lutjes dhe kthehu te miratimi, mos u lut me gojë, kur zemrën nuk e ke prezent!”[9]
 
9. “Të përmendësh mbjelljen dhe farën në kohën e korrjeve, nuk ka më vlerë!”[10]
 
10. “Bëhu fetar dhe shoqërohu me fetarët, ata janë njerëzit! Më të mençurit e njerëzve janë ata që i binden All-llahut, më injorantët, ata që e kundërshtojnë Atë!”[11]
 
 
11. “Nëse përzihesh me fetarët dhe fillon t’i duash ata, do të jesh i fituar dhe zemra jote do të largohet nga hipokrizia dhe njerëzit e saj!”[12]
 
12. “Me pakësimin e imanit fillon të shkosh pas rizkut, me shtimin e tij e lë pas kërkimin, me plotësimin e tij flen nga kërkimi i tij!”[13]
 
13. “Sa injorant ai që harron shkaktarin dhe angazhohet me shkakun! Të qëndruarit me të dytin dhe të harruarit e të parit, do të thotë harrim i të përhershmes dhe lumturi me të vdekshmen!”[14]
 
14. “Biri im, shoqërimi me injorantët shkakton ngjitjen e injorancës te ti, shoqërimi i ahmakut[15] është shoqëri e humbur! Shoqërohu me besimtarët që veprojnë sipas dijes që kanë!”[16]
 
15. “Bëhu i pjekur dhe mos gënje! Thua: I frikësohem All-llahut, ndërkohë që i frikësohesh të tjerëve!?”
 


Shqipëroi nga arabishtja me përshtatje,
nga: “El-fet’hur-rabbani vel-fejdur-rahmani”,
i Shejkh Abdulkadir Xhejlaniut (470-561 h.)
Muhamed Sytari
Shkodër, më 11 gusht 2009


[1] Fq. 15.
[2] Fq. 16 (me përshtatje në shumës).
[3] Fq. 16.
[4] Fq, 17.
[5] Krijesat.
[6] Fq. 18.
[7] Fq. 22.
[8] Fq. 27.
[9] Fq. 27.
[10] Fq. 27.
[11] Fq. 34.
[12] Fq. 34.
[13] Fq. 35.
[14] Fq. 35.
[15] Budallai.
[16] Fq. 35.